Sarrazin: Kjo mënyrë nuk është e duhura, nuk do të lejojmë që marrëveshja e Ohrit të hidhet poshtë për shkak të një budallallëku

Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ka deklaruar se mundësitë që ofron marrëveshja e Ohrit nuk do të lejohen të hidhen poshtë për shkak të asaj që ai e quajti “budallallëk”.

Në një fjalë për media në zyrat e EULEX-it në Mitrovicën e Jugut, ai ka thënë se ndonëse e kupton që deklaratat për marrëveshjen e Ohrit mund të jenë të papranueshme për disa qytetarë, përgjegjësia e politikanëve mbetet evidente.

“Dje kam vendosur spontanisht të vijë në Kosovë. Padyshim që dje ishte një ditë e keqe për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Marrëveshja e arritur në Ohër me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, përfaqëusesit të jashtëm Borrell dhe emisarit Lajcak është mundësi e mirë për gjithë rajonin e sidomos Kosovën dhe Serbinë, për paqe dhe qetësi. Mesazhi im për sot është që ne nuk do të lejojmë që marrëveshja e Ohrit që i ofron mundësitë, të hidhet poshtë për shkak të një budallallëku. E kuptoj se për shumë njerëz në Republikën e Kosovës, deklaratat për marrëveshjen e Ohrit të ardhura nga Beogradi janë të papranueshme dhe vështirë të kuptueshme. Por, çdo politikan në këtë vend dhe rajon ka përgjegjësi për veprimet e veta… nuk mund të merren vendime të pamatura”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka theksuar se zhvillimet e fundit në veri nuk paraqesin një rrugë të ofruar nga dialogu.

“Kjo mënyrë nuk është e duhura për në Bashkimin Evropian dhe nuk është rruga që e ofron marrëveshja e Ohrit dhe dialogu që e afrojnë drejt BE-së. Bashkimi Evropian është vend i zbatimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut që është elementi kyç. Mirëpo, veprimet në terren dhe mund të arsyetohen me bazën e ligjit. Jo çdo veprim është i mençur politikisht, disa mund të jenë toksike”, ka deklaruar ai.

Ishte e premtja dita kur kryetarët e komunave të veriut të Kosovës, një ditë pas betimit të tyre, u futën në zyrat e tyre në komuna, nën shoqërimin e Policisë së Kosovës.

Një masë e tillë erdhi pasi banorët lokalë serbë kundërshtuan shkuarjen e tyre aty, në zyrat që dikur përdoreshin nga zyrtarë serbë.

Nën tensionet e situatës, protestuesit hodhën gurë, dogjën veturat e Policisë së Kosovës e njëherit, gjatë grumbullimit të tyre u dëgjuan të shtëna armësh. Këto veprime të tyre detyruan Policinë që të përdorte gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t’i shpërndarë protestuesit.

Megjithatë, të gjithë kryetarët e komunave veriore arritën që me asistimin e Policisë të hynin brenda komunave.

Situatat e së premtes nxitën reagimet e ndërkombëtarëve, me ç’rast të njëjtit shprehën shqetësimet dhe kritikat e tyre ndaj atyre që i quajtën “masa të dhunshme”.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se çdo opsion tjetër i veprimeve të ndërmarra policore gjatë së premtes në veri do të ishte një mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë ndaj kryetarëve të komunave në veri dhe jo vetëm.

Me anë të një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se shkuarja e kryetarit të komunës në vendin e tij të punës do të duhej të ishte gjëja më normale e mundshme. Ai ka thënë se mbetet i vetëdijshëm mbi shqetësimet e ngritura nga faktorët ndërkombëtarë.

Go to TOP