Sveçla në Leposaviq: Policia e Kosovës është e Kosovës dhe këtu është Republikë e Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se ka shprehur mbështetjen e tij për kryetarin e komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi.

Në një fjalë për media pas takimit, Sveçla ka deklaruar se vështirësitë e tanishme do të kalohen, gjersa ka ritheksuar se Policia e Kosovës mbetet e Kosovës dhe vendi ku po vepron ajo është vetë Republika e Kosovës.

“Erdha e vizitova kryetarin e Komunës, i dëshirova punë të mbarë. Shpreha mbështetjen tonë e u pajtuam që ka nevojë të gjitha institucionet, qoftë vendore qoftë qendrore, të punojnë për të mirën e qytetarëve me iu shërby qytetarëve. Përkundër vështirësive ne jemi të bindur që të gjithë këto vështirësi do ti tejkalojmë. Policia e Kosovës është Kosovës dhe këtu është Republikë e Kosovës”, ka thënë ai.

Trupa të Policisë së Kosovës janë pozicionuar në afërsi të komunës së Zveçanit.

Ekipi i RTV Dukagjinit, i cili po raporton nga vendi i ngjarjes, bën të ditur se në komunën e Zveçanit nuk ka arritur akoma kryetari Ilir Peci. Përmes një telefonate, Peci i ka thënë Dukagjinit se nuk do të dalë në komunë, pasi është ditë e shtunë.

E njëjta nuk mund të thuhet për kryetarin e Leposaviqit. Ai tashmë gjendet në objektin e komunës që ka fituar.

Njësoj si të premten, ekipi i RTV Dukagjini po qëndron në komunat në veri të vendit, për të raportuar mbi situatën atje.

Ishte e premtja dita kur kryetarët e komunave të veriut të Kosovës, një ditë pas betimit të tyre, u futën në zyrat e tyre në komuna, nën shoqërimin e Policisë së Kosovës.

Një masë e tillë erdhi pasi banorët lokalë serbë kundërshtuan shkuarjen e tyre aty, në zyrat që dikur përdoreshin nga zyrtarë serbë.

Nën tensionet e situatës, protestuesit hodhën gurë, dogjën veturat e Policisë së Kosovës e njëherit, gjatë grumbullimit të tyre u dëgjuan të shtëna armësh. Këto veprime të tyre detyruan Policinë që të përdorte gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t’i shpërndarë protestuesit.

Megjithatë, të gjithë kryetarët e komunave veriore arritën që me asistimin e Policisë të hynin brenda komunave.

Situatat e së premtes nxitën reagimet e ndërkombëtarëve, me ç’rast të njëjtit shprehën shqetësimet dhe kritikat e tyre ndaj atyre që i quajtën “masa të dhunshme”.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se çdo opsion tjetër i veprimeve të ndërmarra policore gjatë së premtes në veri do të ishte një mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë ndaj kryetarëve të komunave në veri dhe jo vetëm.

Me anë të një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se shkuarja e kryetarit të komunës në vendin e tij të punës do të duhej të ishte gjëja më normale e mundshme. Ai ka thënë se mbetet i vetëdijshëm mbi shqetësimet e ngritura nga faktorët ndërkombëtarë.

Go to TOP