Samka Ferri nderohet me Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore në Teatër
Në Ditën Botërore të Teatrove, Ministria e Kulturës, ka mbajtur ceremoninë për ndarjen e Çmimeve Vjetore për Teatër 2024.
Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore në fushën e teatrit për vitin 2024 i është ndarë Samka Ferrit. Ajo është nderuar për skenografen më të mirë, me arsyetimin për angazhimin në karrierën e gjatë në teatër, balet, film dhe televizion si dhe për profesionalizmin, përkushtimin, begatinë skenike, llojllojshmërinë e kostumeve estetike dhe dramatike që për dekada kanë formësuar produksionet teatrore në Kosovë dhe më gjerë. Po ashtu edhe për realizimin e më shumë se 180 shfaqjeve teatrore që aktorëve ju ka mundësuar të zhvillojnë personazhet e tyre sa më mirë.
Shfaqja “Martesa” fitoi Çmimin Kombëtar për ‘Shfaqjen më të mirë’ në fushën e teatrit për vitin 2024.
Çmimi Kombëtar për Regjinë më të mirë në fushën e teatrit për vitin 2024, iu nda regjisorit Erson Zymberi, në shfaqjen “Djali”.
Aktori më i mirë është vlerësuar Shpëtim Selmani për rolin kryesor në shfaqjen “Të bardhët” me autor Steven Leigh Morris.
Kurse Qendra “Multimedia” është vlerësuar me çmimin për prezantim ndërkombëtar me shfaqjen “The Handke Project”.
Ministri Hajrulla Çeku në fjalën e tij i falënderoi për punën e tyre kontribuuesit e skenës teatrore në vend.
“Kjo ditë e ka edhe simbolikën e vet – Dita Botërore e Teatrit.Shfrytëzoj rastin që në emër të Ministrisë së Kulturës, por edhe në emrin tim personal, të shpreh falënderimin tonë të sinqertë për të gjithë ata që kontribuojnë dhe e mbajnë gjallë artin dramatik dhe i shërbejnë teatrit dhe publikut artdashës”, është shprehur Çeku.
Juria e cila i ka shqyrtuar nominimet për çmimet vjetore në teatër ishte në përbërje të Alban Beqiraj kryetar, anëtarë Aurita Agushi, Agon Miftari, Blerta Syla -Surroi dhe Xhevdet Doda. /Kosova.info/
