Sallahu: Opinionet e Komisionit të Venecias, hap drejt reformës në drejtësi

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se ka marrë pjesë në mbledhjen plenare të Komisionit të Venecias, ku është diskutuar për projektamendamentet në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Sallahu ka thënë se këto ndryshime janë pjesë e pakos së reformave që Ministria e Drejtësisë ka propozuar për forcimin e llogaridhënies dhe integritetit në sistemin e drejtësisë.

“Miratimi i Opinionit të Komisionit të Venecias për këto amendamente është një hap i rëndësishëm përpara drejt finalizimit të reformave që garantojnë transparencë, profesionalizëm dhe përgjegjësi në sistemin prokurorial”, ka shkruar ai.

Në fund, Sallahu ka theksuar vendosmërinë për të çuar përpara procesin e reformës në drejtësi, duke shtuar se “drejtësia e vërtetë nuk është vetëm parim ligjor, por zotim politik ndaj qytetarëve tanë”.


Go to TOP