Salihu mohon akuzat: Nuk kam sulmuar askënd me shishe, reagova vetëm për t’u mbrojtur
Asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sami Salihu, ka reaguar pas raportimeve për një incident fizik ku ai u përfshi sot. Në një deklaratë publike, Salihu ka mohuar se ka sulmuar dikë me shishe duke theksuar se ishte ai vetë i sulmuar papritmas dhe se reagimi i tij kishte qenë vetëm në mbrojtje.
“Sot u sulmova papritmas dhe reagova vetëm për t’u mbrojtur. Kamerat e vendit të ngjarjes do ta tregojnë të vërtetën dhe unë do të bashkëpunoj plotësisht me organet hetimore. Dhuna, sidomos ajo pas shpine, është e papranueshme,” ka deklaruar ai.
Salihu ka kërkuar falje për shqetësimin e shkaktuar duke thënë se ngjarja nuk pasqyron natyrën e tij dhe vlerat që ai përfaqëson:
“Ju kërkoj falje familjarëve të mi, shoqërisë dhe mbi të gjitha qytetarëve që janë shqetësuar nga kjo situatë. Kjo nuk është natyra ime. Ajo që ndodhi ishte pasojë e provokimeve, ofendimeve dhe sulmit të padrejtë ndaj meje.”
Ai ka shtuar se do të vazhdojë punën e tij me përkushtim ndaj qytetarëve të Prishtinës duke theksuar se askush nuk ka të drejtë të godasë pas shpine.
“Unë do të vazhdoj të qëndroj drejt, me dinjitet dhe me përkushtim ndaj qytetarëve që më kanë besuar. Askush nuk ka të drejtë të godasë pas shpine, dhe askush nuk do të më ndalë të punoj me përgjegjësi për Prishtinën,” ka përfunduar reagimin e tij. /Kosova.info/
