Salih Murat: Gostivari do ta konfirmojë sërish mbështetjen për Valbon Limanin
Salih Murat ka bërë thirrje publike që qytetarët dhe bashkëkombasit turq të votojnë për kandidatët e Frontit Evropian, me numrin 3, në zgjedhjet komunale që do të mbahen më 11 janar.
Në një postim, Murat thekson se qëndrimi i tyre politik mbetet i pandryshuar dhe se kandidati Valbon Limani ka dalë fitues bindshëm në raundin e parë ndaj kandidatit të VLEN-VMRO-së. Sipas tij, kundërshtarët kanë ndërruar disa herë kandidatët, por kjo nuk do ta ndryshojë rezultatin përfundimtar.
Ai shpreh bindjen se qytetarët e Gostivarit, veçanërisht votuesit turq në Gostivar, Banicë e Poshtme, Banicë e Epërme dhe Zdunjë, do ta mbështesin sërish Valbon Limanin me shumicë të qartë.
Murat nënvizon se votuesit nuk do të lejojnë, siç i quan ai, “vota të imponuara”, duke shtuar se përfaqësuesit e tyre do t’i zgjedhin vetë. Ai thekson gjithashtu se Fronti Evropian ka vetëm një përfaqësues turk dhe se kjo linjë politike do të vazhdojë si në nivel qendror ashtu edhe lokal.
Në fund, Murat u bën thirrje qytetarëve që të dielën të votojnë për numrin 3, duke riafirmuar mbështetjen për Valbon Limani.
