Sadiku: Politikat populiste po e lënë Kosovën pa investime kapitale dhe vizion
Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ka kritikuar ashpër politikat ekonomike aktuale në vend duke theksuar se mungesa e investimeve kapitale është pasojë direkte e mënyrës së menaxhimit të buxhetit shtetëror.
Sipas Sadikut, buxheti i Kosovës mbushet kryesisht nga taksat mbi mallrat dhe shërbimet duke u rritur paralelisht me rritjen e çmimeve, ndërsa më pas shpërndahet në paga, subvencione, transfere dhe shtesa sociale.
Ai vlerëson se kjo qasje ka lënë në hije investimet strategjike duke përmendur mungesën e stadiumeve moderne, qendrave të mëdha të inovacionit, kapaciteteve serioze për prodhim të energjisë elektrike dhe autostradave bashkëkohore.
Sadiku shton se këto politika, që ai i cilëson si populiste, kanë dështuar edhe në vende të tjera ku janë zbatuar duke prodhuar mungesë zhvillimi dhe vizioni afatgjatë.
Deputeti i LDK-së ka bërë të ditur se për këto çështje dhe të tjera do të diskutojë më gjerësisht sonte në emisionin “Debat Plus”. /Kosova.info/
