Rrjedhja e informacioneve gjatë aksioneve: Ekspertët dyshojnë tek të infiltruarit në UNMIK e EULEX

Gjatë viteve të fundit, rrjedhja e informacionit është bërë fenomen i njohur në Kosovë për shkak të dekonspirimit të shumë aksioneve të Policisë së Kosovës.

Kjo ka bërë që policia të mos arrijë gjithmonë objektivat dhe të përmbush planin në përpikmëri.

Në një prononcim eksperti i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, ka thënë se ky fenomen është i njohur që nga formimi i institucioneve të Republikës së Kosovës.

Ai ka thënë se ky fenomen ka ndodhur në shkallë vendi, por ka folur më gjerësisht për aksionet e Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit.

“Do të doja të përqëndrohem në aksionet kundër krimit të organizuar në veriun e Kosovës, ku jo vetëm tash, por në të shumtën e rasteve që nga marrja e përgjegjësive për udhëheqjen e policisë nga institucionet e Kosovës, ka pasë rrjedhje të informacioneve”, ka thënë Islami.

Tutje, ai ka thënë se kjo ka ardhur si pasojë e shpërndarjes së informacionit edhe tek organe tjera ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.

“Kjo vie si pasojë që në fillim para se të merren operacionet nga ana e Policisë së Kosovës, është dashur të informohen me kohë UNMIK-u, EULEX-i dhe KFOR-i dhe për fat të keq më duhet të them që Serbia dhe aleatët e saj, brenda strukturave të Organizatave të Kombeve të Bashkuara, qoftë nga UNMIK-u, EULEX-i apo OSBE-ja, kanë njerëz të infiltruar të cilët në rastin që kuptojnë për zhvillimin e një operacioni në pjesën veriore apo në shkallë vendi, kanë informuar strukturat paralele të cilat funksionojnë në veri, e të cilat janë të dirigjuara nga Beogradi. Kësi soji kanë dështuar edhe operacionet e policisë”, ka thënë ai.

Ai ka potencuar gjithashtu se rrjedhja e informacioneve është vetëm dyshim nga ana e institucioneve në Kosovë, por nuk ka mohuar dyshimet se mund të ketë persona të infiltruar nga Serbia që të nxjerrin informacione të tilla nga organet e sigurisë në Kosovë.

Islami ka thënë se për të parandaluar një fenomen të tillë në organet e sigurisë, do të ishte mirë që në vend të metodave bashkëkohore për shpërndarjen e informacioneve të rëndësishme, të përdoren metoda klasike.

Ai ka thënë se metoda klasike ka rezultuar të jetë më e suksesshme dhe më e sofistikuar se sa teknologjia bashkëkohore.

Eksperti tjetër i sigurisë, Nuredin Ibishi, ka deklaruar se për rrjedhjen e informacioneve nuk mund të fajësohet vetëm Policia e Kosovës.

Ai ka thënë se këto aksione marrin shpesh herë kohë të gjatë deri sa të përgatiten dhe deri sa të lëshohet urdhri nga ana e prokurorit të rastit.

“Gjatë kësaj kohe aty janë të kyqur jo vetëm Policia e Kosovës por edhe Prokuroria, Dogana dhe organe të tjera. Pra, nuk mund të themi se vetëm në Policinë e Kosovës ka rrjedhje të informacionit”, ka thënë Ibishi.

Ibishi ka folur për tri rastet e aksioneve të policisë në veri të Kosovës, ndërsa ka thënë se është korrekte nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës që është deklaruar se ka pasë rrjedhje informacioni në këto aksione.

Ai ka thënë se në këto raste duhet të përfshihet edhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.

“Mendoj se secili organ i sigurisë në këto raste duhet të marrë përgjegjësi se si ka rrjedh informacioni. Shembull mund të ketë rrjedhje informacioni në një aksion, por nëse ka rrjedhje informacioni në tri aksione brenda një kohe të shkurtër, atëherë kjo është e tepërt pa një veprim konkret të përgjegjësisë”, ka thënë Ibishi.

Në fund, Ibishi ka thënë se rrjedhja e informacionit mund të ketë pasoja të tmerrshme edhe ndaj zyrtarëve policorë, duke mobilizuar kryesit e veprave penale ndaj tyre, ose duke ju mundësuar ikjen.

Ai ka thënë se ka pasë raste fatale ose të plagosjes së zyrtarëve policorë, për shkak të rrjedhjes së informacioneve.

Go to TOP