Abdixhiku para rinisë së LDK-së: Me ju në krah jemi më të fortë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në Konventën e Forumit të Rinisë të kësaj partie tha se Rinia e Lidhjes Demokratike është forca më serioze e organizmit rinor e politik në Kosovë.

“Ky takim e ky organizim, na e dëshmon se LDK-ja qysh sot, disa muaj para zgjedhjeve kombëtare, është e gatshme, është e mobilizuar dhe me ju në krah, është e fortë përballë secilës betejë përpara. Është detyrë e jona ta udhëheqim vendin në drejtimin e duhur në këtë moment vendimtar e të paqëndrueshëm dhe ta zgjedhim rrugën e duhur. Ta zgjedhim Rrugën e Re”, ka theksuar Abdixhiku.

Lideri i LDK-së tutje theksoi programi i subjektit të tij politik është program zhvillimor.

“Brenda tij gjen investimet infrastrukturore që përmirësojnë shtetin tonë në pamje dhe në përmbajtje. Gjen një sistem edukimi që krijon forcë të aftë punëtore; gjen burime të energjisë që sigurojnë të ardhmen tuaj; gjen spitale moderne që i kanë gjithë të rinjtë në rajon. Në programin tonë gjen dhe investime në teknologji informative, inteligjencë artificiale, qendra kulturore, e stadiume sportive. Në programin tonë gjen vet të ardhmen. Për ta bërë këtë të ardhme, kam nevojë për ju. Lidhja Demokratike ka nevojë për ju”, shtoi Abdixhiku.

Ndërkaq, Paris Guri, kryetari i Rinisë së LDK-së në këtë konventë foli për 158 aktivitetet të cilat i ka zhvilluar Rinia e LDK-së në gjithë Kosovën.

“Në kohën kur çdo vit mbi 50.000 persona e lëshojnë vendin, shumica prej tyre të rinj, barra bie mbi ne që të punojmë fortë e pa ndalë, që Kosovë të bëhet vend i jetueshëm përsëri. Kosova është e pasur me talente, të rinj e të reja të shkëlqyeshëm qe po na e ndrisin fytyrën këtu e anë e mbanë botës. Andaj, ne jemi të vendosur të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë bashkëmoshatarët tanë; këtë e garanton ‘Rruga e Re’ Programi Politik i LDK-së dhe prijësi i saj Lumir Abdixhiku, andaj ju garantoj se jemi në rrugën e duhur”, tha kryetari i Rinisë së LDK-së.

Gjatë kësaj konvente, u fol edhe për programin politik ‘’Rruga e Re’’, që sipas LDK-së është alternativa e vetme për Kosovën.

Go to TOP