Rriten asetet e bankave e komerciale, arritën në 7.4 miliardë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, njofton se asetet e bankave komerciale në fund të muajit shkurt 2024 kanë arritur vlerën në 7.4 miliardë euro, duke shënuar rritje për 29.9 milionë euro, ose 0.4% krahasuar me muajin paraprak.

“Investimet e bankave komerciale jashtë vendi (në formë të depozitave, letrave me vlerë dhe plasmanëve tjera) kanë arritur vlerën në fund të muajit shkurt 2024 në 1,2 miliardë euro, duke shënuar ulje për 36.6 milionë euro, ose 3% krahasuar me muajin paraprak”, thuhet në publikimin e BQK-së për statistikat e bankave komerciale për muajin shkurt 2024.

Sipas BQK-së, kreditë bruto në fund të muajit shkurt kanë arritur vlerën në 4.95 miliardë euro, duke shënuar rritje për 60.4 milionë euro ose 1.2% krahasuar me muajin paraprak.

“Vlera e kredive të reja në muajin shkurt 2024 ishte 172.2 milionë euro. Depozitat e klientëve në shkurt 2024 kanë arritur vlerën prej 6.0 miliardë euro, duke shënuar rritje për 12.3 milionë euro, ose 0.2% krahasuar me muajin paraprak. Nga vlera e akumuluar e depozitave të klientëve rreth 26.6% janë të afatizuara. Sipas sektorëve, ekonomitë familjare dominojnë me rreth 67.5% të gjithsej vlerës së depozitave (rreth 4.1 miliardë euro)”, thuhet në raport.

Kurse vlera e depozitave të reja në muajin shkurt 2024 ishte 78.7 milionë euro, ndërsa raporti kredi-depozita në muajin shkurt 2024 ishte në nivelin 82.4%.

“Gjithsej kapitali i bankave komerciale në fund të muajit shkurt 2024 arriti vlerën në 894.1 milionë euro. Ndërsa, provizionet për kredi u zvogëluan për 0.4 milionë euro apo 0.3% krahasuar me muajin paraprak duke arritur vlerën 144.5 milionë euro. Norma mesatare e interesit në depozita në muajin shkurt 2024 ishte 2.89% (në janar 2024 ka qenë 2.74%)”, njofton BQK.

Norma mesatare e interesit në kredi në muajin shkurt 2024 ishte 6.34% (në janar 2024 ka qenë 6.38%), ndërkaq margjina e normës së interesit në kredi dhe depozita në muajin shkurt 2024 ishte 3.5% (në janar 2024 ka qenë 3.6%). /Kosova.info/

Go to TOP