OShC-të reagojnë kundër përzgjedhjes së anëtarit të Bordit të OShP-së pa konkurs të hapur dhe transparent

Organizata INPO, Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Lëvizja Fol në një komunikatë të përbashkët kanë reaguar për përzgjedhjen e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Batisha Ibrahimit, pa hapjen e një konkursi publik.

Sipas OShC-së (organizatat e shoqërisë civile), qeveria kështu po ndërton praktika të dëmshme të emërimit të personave politik në institucione të pavarura, duke shkelur parimet e transparencës, meritokracisë, qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, pa aplikuar procedurat e rekrutimit përmes një konkursi të hapur dhe transparent, i ka propozuar Kuvendit të  Republikës së Kosovës, dy kandidatë për pozitën e një  anëtari të bordit të OShP-së, më  ç’rast Kuvendi në seancën e fundit, në seancën plenare, votoi znj. Batisha Ibrahimi për anëtare”, thuhet në komunikatë.

OShC thekson se nga viti 2019 është ndërtuar praktikë e përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të OShP-së përmes konkursit të hapur dhe transparent.

“OShC-të vlerësojnë se përzgjedhja e disa anëtarëve me konkurs e disa të tjerëve pa konkurs në bordet e pavaruara, përçon mesazhin e mbrapshtë tek publiku dhe qytetarët në përgjithësi, ku ata apo ato që janë zgjedhur pa konkurs arsyeshëm mund të perceptohen si persona të lidhur me pushtetin dhe politikën”, vazhdon komunikata.

Batisha Ibrahimi është përzgjedhur si anëtare e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit dje në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës. Ajo u përzgjodh me 59 vota, teksa pati kundërkandidat Meriton Zikan. /Kosova.info/

Go to TOP