Rrëfime tronditëse në gjyq: Ish-të burgosurat dëshmojnë për torturat sistematike në Burgun e Lipjanit

Rrëfime të rënda për dhunë fizike dhe psikike ndaj grave shqiptare gjatë luftës në Kosovë u dëgjuan sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku u mbajt seanca fillestare ndaj Nadica Cepkenoviq, ish-gardiane në Burgun e Prishtinës – paralelja për femra në Lipjan, e akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile.

Zahrije Podruqa, e dënuar me katër vjet burg në vitin 1998, rrëfeu se për muaj të tërë ishte torturuar vazhdimisht nga e akuzuara. Ajo tha se ishte zhveshur, dërguar në podrum dhe kërcënuar me deportim, ndërsa i ishte kërkuar të shkelte fotografinë e ish-presidentit Hashim Thaçi, gjë që kishte refuzuar. Podruqa deklaroi se torturat ishin ushtruar rregullisht, shpesh duke u mbuluar britmat me zë të lartë nga magnetofoni.

Edhe ish-e burgosura Jehona Krasniqi-Morina tha se ballafaqimi me të akuzuarën pas gati tri dekadash nuk i solli emocione pozitive, por e cilësoi procesin si një pikë kthese për viktimat. Ajo theksoi se dhuna ishte sistematike dhe e vazhdueshme ndaj të gjitha të burgosurave duke kërkuar që drejtësia të përfshijë të gjithë bashkëfajtorët.

Ndërkohë, Mevlyde Saraçi deklaroi se dhuna e përjetuar i ka lënë pasoja të rënda edhe në dëgjim duke e bërë të vështirë ndjekjen e seancës. Ajo kërkoi dënim meritor për të akuzuarën dhe për gardianet e tjera të përfshira duke theksuar se kushtet e burgimit ishin çnjerëzore dhe degraduese.

Cepkenoviq është deklaruar e pafajshme për aktakuzën, e cila e ngarkon atë se gjatë viteve 1998–1999, në bashkëkryerje me gardiane të tjera, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare duke keqtrajtuar në mënyrë sistematike të burgosurat shqiptare. Sipas aktakuzës, viktimat janë rrahur dhe kërcënuar seriozisht për jetë duke pësuar pasoja të rënda fizike dhe psikike që vazhdojnë edhe sot.


Go to TOP