Teatri i Qytetit i Gjilanit me program të pasur edhe në muajin shkurt

Pas janarit të mbushur me emocione, debate artistike dhe energji krijuese nga Festivali i Dramës Shqipe “Talia e Flakës”, Teatri i Qytetit të Gjilanit vazhdon sezonin dimëror me një program të larmishëm për muajin shkurt.

Repertori i këtij muaji sjell një kombinim të balancuar mes premierave, rikthimit të shfaqjeve të suksesshme dhe hapësirës për skenën e pavarur kulturore. Programi përfshin teatër bashkëkohor, dramë psikologjike, komedi, kabare dhe një mbrëmje stand up comedy, duke ofruar për publikun një mozaik zhanresh dhe temash.

Teatri i Qytetit në Gjilan ka njoftuar se premiera “Kabare 1999” pritet të jetë ngjarja kryesore e muajit, një shfaqje që hap dhe dominon programin e shkurtit, duke trajtuar realitete sociale dhe historike përmes një forme moderne skenike.

Përveç premierës, në skenë rikthehen edhe disa nga shfaqjet më të kërkuara nga publiku, si “Chatroom”, “Gënjeshtra” dhe “Njeriu prej Jastëku”, të cilat kanë pasur interesim të madh në paraqitjet e mëparshme.

Po ashtu, në kuadër të programit është paraparë edhe një mbrëmje Stand Up Comedy.


Go to TOP