Edhe një i dyshuar për falsifikim rezultatesh ndalohet për 48 orë

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka njoftuar se i ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh një kryesuesi të komisionit që lidhet me hetimet që po zhvillohen nën dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave brenda subjekteve politike për zgjedhjet e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në Komunën e Malishevës.

Kjo prokurori thotë se pasi u sigurua prezenca e tij, çka nuk kishte mundur të bëhej më 28 janar, ai është intervistuar dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

“Ndaj të njëjtit, Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, për shkak të veprës penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, nga neni 216 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Sistemit Prokurorial. /Kosova.info/


Go to TOP