Haziri: Pa LDK-në nuk ka as zgjidhje e as zgjedhje, rikthimi vjen me marrëveshje politike
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar ndaj kritikave dhe debatit të brendshëm në parti duke theksuar se LDK i përket anëtarësisë dhe jo funksionarëve.
Përmes një postimi, Haziri tha se i kupton aktivistët dhe militantët që kërkojnë rezultate më të mira për LDK-në, por kritikoi ata që, sipas tij, fillimisht e lartësuan partinë e më pas shkruan “nekrologji” për të.
“LDK din e mundet me u përball me agjendën e Republikës duke përballu kërkesat e saj me debat të brendshëm, marrëveshje politike apo demokraci të brendshme”, shkroi ai.
Haziri theksoi se përvoja e viteve të fundit ka dëshmuar se “pa LDK-në nuk ka as zgjidhje e as zgjedhje”, ndërsa shtoi se stabiliteti dhe normalizimi i Republikës kalojnë përmes LDK-së.
Sipas tij, rikthimi i madh i LDK-së duhet të vijë “nga lart-poshtë”, përmes një marrëveshjeje të madhe politike duke mos e dëmtuar demokracinë e brendshme të partisë. Ai kujtoi gjithashtu rolin historik të LDK-së në ringritjen e Kosovës duke theksuar se partia ka dëshmuar se di të ringrihet edhe në periudhat më të vështira. /Kosova.info/
