Kerquki: LDK-së i duhet marrëveshje e brendshme, jo një betejë për kryetar

Gazetari Leonard Kerquki vlerëson se në fazën aktuale Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka nevojë për një marrëveshje të gjerë të brendshme dhe jo për një përplasje të re politike për udhëheqjen e partisë.

Sipas tij, mbajtja e një Kuvendi Zgjedhor në këtë moment mund të krijojë më shumë probleme sesa zgjidhje. Ai argumenton se edhe në rast se Lumir Abdixhiku merr votëbesimin, kjo nuk garanton se do të ketë mbështetjen e nevojshme për të ndërtuar një marrëveshje me Vetëvendosjen, pasi përçarjet brenda Grupit Parlamentar mbeten një pengesë serioze.

Kerquki shton se, nëse Abdixhiku humbet votëbesimin, LDK do të hynte në një periudhë tranzicioni të udhëhequr nga një ushtrues detyre deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Sipas tij, ekziston mundësia që vendi të shkojë sërish në zgjedhje para se partia ta ketë konsoliduar lidershipin duke e gjetur LDK-në të papërgatitur dhe me konfliktet e brendshme ende të hapura.

Për këtë arsye, ai konsideron se zgjidhja më e arsyeshme është kompromisi. Sipas Kërqukut, shtyrja e Kuvendit Zgjedhor për një moment më të përshtatshëm dhe arritja e një marrëveshjeje që bashkon dy krahët e partisë do t’i mundësonte LDK-së të krijojë konsensus për vendimmarrjet e rëndësishme politike dhe të shmangë thellimin e krizës së brendshme. /Kosova.info/


Go to TOP