Resuli: Ligji për Shërbimin Veterinar refuzon propozimet e ekspertëve, Ministria e Bujqësisë nuk ka marrë parasysh sugjerimet tona
Presidenti i Urdhrit të Mjekut Veterinerë Shqiptarë, Ervin Resuli, ka shprehur zhgënjimin e tij ndaj procesit të diskutimit të ligjit nr. 10 465 për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë, zhvilluar sot në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese. Resuli theksoi se nga 20 propozimet e paraqitura nga Urdhri, vetëm 7 janë marrë parasysh pjesërisht, duke ngritur pikëpyetje mbi trajtimin e interesave të veterinerëve.
“Ndjejë keqardhje që vetëm 7 propozime u morën në konsideratë dhe ato jo të plota. Pse ndodhi kjo? A thua vetëm sepse Urdhri nuk është zgjatim i Ministrisë së Bujqësisë, por garant i standardeve veterinare dhe i interesave të veterinerëve?” tha Resuli.
Ai shtoi se propozimet e Urdhrit, të bazuara në konsultime të gjera me ekspertë të sektorit dhe në përputhje me standardet evropiane, u rrëzuan plotësisht nga Ministria e Bujqësisë pa shpjegim të qartë. Resuli kritikoi qëndrimin e Ministrisë, duke vënë në dukje se ishte “e papranueshme që në mes të ditës të gënjehet hapur se ligji është konsultuar dhe pranuar nga Urdhri i Mjekëve Veterinarë.”
Resuli u bëri thirrje kolegëve të tij për një angazhim të përbashkët në ndryshimin e situatës dhe për rikthimin e veterinarisë në standardet më të larta, duke theksuar se “Mjeku veterinar nuk është punonjës blegtorie, ai është punonjës shëndetësie dhe duhet trajtuar si i tillë.”
Ai ftoi të gjithë të ndjekin diskutimin në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, ku për herë të parë u adresuan interesat e Urdhrit Profesional të Mjekut Veterinar si grupi më i madh i interesit. /Kosova.info/