Resuli denoncon korrupsionin në Ministrinë e Bujqësisë: fushata e vaksinimit kundër brucelozës e lënë në harresë

Presidenti i Urdhrit të Mjekut Veterinar Shqiptar, Ervin Resuli ka ngritur shqetësime serioze lidhur me zbatimin e fushatës së vaksinimit kundër brucelozës në Shqipëri.

Në një deklaratë të fuqishme, ai theksoi se, pavarësisht përpjekjeve të mëparshme të qeverisë për vaksinimin e deleve dhe dhive, situata për vitin 2024 është alarmante.

Sipas Resulit, një grup i strukturuar në nivele të larta brenda Ministrisë së Bujqësisë dyshohet se ka përvetësuar fondet e dedikuara për këtë fushatë, duke lënë vaksinimin tërësisht të pazbatuar.

Raporti i fundit i vitit 2023 nga Komisioni Evropian vlerësoi përparimin e Shqipërisë në këtë drejtim, por mospërmbushja e objektivit për vitin 2024 ka vënë në rrezik shëndetin publik. Resuli paralajmëron se ndërprerja e skemës së vaksinimit do të shkatërrojë vitet e përpjekjeve për të kontrolluar brucelozën dhe do të sjellë pasoja të rënda për shëndetin e qytetarëve.

Në përfundim, Resuli bëri thirrje për ndërhyrjen urgjente të institucioneve përkatëse, duke theksuar nevojën që kjo aferë të raportohet në SPAK, me qëllim që përgjegjësit të përballen me drejtësinë dhe të mbrohet shëndeti publik. /Kosova.info/

Go to TOP