Rasti i policit që qëlloi për vdekje qytetarin në Prishtinë, Kryeshefi i IPK-së: Nuk ka elemente të veprës penale

Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, ka folur për rastin e zyrtarit policor i cili më 8 maj në vetëmbrojtje e ka qëlluar me armë zjarri qytetarin B.B., në shtëpinë e tij në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë, ku i njëjti ka vdekur dje, pas 24 ditësh mjekim në Qendrën Klinikë Universitare të Kosovës (QKUK).

Kryeshefi i IPK-së, Kushtrim hodaj, tha se për rastin në fjalë hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendngjarje dhe në koordinim me Prokurorin e rastit është vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për përdorimin e armës nga ana e zyrtarit policor dhe nuk ka elemente të veprës penale për zyrtarin policor

“Lidhur me këtë rast hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendgjarje dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore. Në koordinim me Prokurorin e rastit është vlerësuar që janë plotësuar kushtet ligjore për përdorimin e armës nga ana e zyrtarit policor dhe nuk ka elemente të veprës penale për zyrtarin policor. Njësitet përkatëse në Polici e kanë trajtuar përdorimin e armës në aspektin administrativ”, tha Hodaj.

Zyrtari policor e kishte qëlluar me armë zjarri qytetarin B.B., teksa po kryhej një bastisje në shtëpinë e tij më 8 maj në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë. Sipas policisë i njëjti ua kishte drejtuar armën zyrtarëve policor duke ua rrezikuar jetën atyre dhe për këtë arsye zyrtari policor e kishte përdorur armën e zjarrit.

Policia kishte deklaruar se në shtëpinë e të dyshuarit B.B. ishin pritur me armë, ndërsa vlerësohej se i dyshuari ua kishte rrezikuar jetën policëve.

“Me të arritur në lokacion-shtëpinë e banimit të personit të dyshuar policia ka hasur në personin e dyshuar, i cili papritmas ka drejtuar armën në drejtim të zyrtareve policor duke ua rrezikuar jetën e tyre. Falë shkathtësive dhe veprimeve të shpejta të zyrtarit policor i njëjti në vetëmbrojtje ka përdorur armën ndaj personit të dyshuar me qellim të neutralizimit të rrezikut për jetën e tij dhe kolegeve të tjerë”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Në shtëpinë e të dyshuarit, Policia thoshte se hasi në “një arsenal armësh që posedonte personi i dyshuar”.

Go to TOP