Rama uron SHBA-në: Historia e Kosovës nuk mund të rrëfehet pa Amerikën
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë duke theksuar rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë.
Rama ka shkruar se 4 Korriku nuk është vetëm një datë historike për Amerikën, por edhe një simbol i idealeve të lirisë që kanë frymëzuar shumë popuj, përfshirë edhe Kosovën.
“Për ne në Kosovë, 4 Korriku është njëra prej tyre. Sepse historia jonë nuk mund të rrëfehet pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sot nuk urojmë vetëm një përvjetor. Nderojmë një ide të madhe të lirisë dhe shprehim mirënjohjen tonë të thellë ndaj një populli dhe një shteti që u bë pjesë e pandashme e rrugëtimit tonë drejt lirisë, paqes dhe shtetësisë”, ka deklaruar Rama.
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se sonte, në orën 22:00, në rrugën “2 Korriku” në Prishtinë, bashkë me të Ngarkuarën me Punë të SHBA-së, Anu Prattipati, do të shënojnë këtë festë me program muzikor dhe ndezjen e fishekzjarreve mbi qiellin e kryeqytetit. /Kosova.info/
