Rama: “Sunny Hill” i takon Kosovës, kam besimin e plotë se nga viti tjetër do të rikthehet në shtëpinë e vetë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në konferencën për media ka dhënë disa detaje shtesë rreth zhvendosjes së “Sunny Hill” në Tiranë.

Ai për anulimin e festivalit në Prishtinë ia ka lënë fajin Qeverisë për shkak të zvarritjeve për dhënien e pronës.

Mes shumë tjerash, Rama u shpreh që “Sunny Hill” i takon Kosovës, Prishtinës dhe të rinjve në vend.

“Siç e keni kuptuar këto ditë Sunny Hill Festival nuk do të mbahet në Prishtinë, ky është një lajm dëshpërues për kryeqytetin si dhe për gjithë Kosovën. Sunny Hill Festival i takon Kosovës, i takon Prishtinës, të rinjve dhe të rejave tona që me padurim e kanë pritur edicionin e sivjetmë”, tha Rama.

Ai beson se nga viti tjetër ky festival do të kthehet sërish në Prishtinë, aty ku edhe e ka vendin.

“Kam besimin e plotë se festivali Sunny Hill nga viti tjetër e tutje do të jetë në shtëpinë e vetë në Prishtinë, pra këtu edhe ku e ka vendin”, theksoi Rama.

“Sunny Hill” u bë e ditur se sivjet do të zhvendoset në Shqipëri dhe pritet të mbahet më 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022.

Sipas kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, “Sunny Hill” si lokacion do ta ketë Parkun e Liqenit.

Go to TOP