Rama: Prishtina, shembull ndër 120 qytetet e Evropës dhe Arabisë

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, është pozicionuar fuqishëm në hartën globale duke u vlerësuar për vizionin e saj të guximshëm dhe karakterin unik urban në forumin ndërkombëtar “Arab-European Cities Dialogue”, ku morën pjesë kryetarët e 120 qyteteve nga Evropa dhe Lindja e Mesme.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, paraqiti para pjesëmarrësve modelin vizionar të zhvillimit të qytetit duke theksuar tre shtylla kryesore të këtij vizioni:

“Qytetari i parë” – një koncept që vendos qytetarin në qendër të çdo politike dhe projekti zhvillimor.

Arti dhe kultura si motor ekonomik – duke shndërruar krijimtarinë në burim të gjallërimit ekonomik dhe social të qytetit.

Festivalet si identitet dhe branding – të cilat e promovojnë Prishtinën në skenën ndërkombëtare duke e forcuar imazhin dhe reputacionin e saj.

Rama ndau skenën me kryetarët e Bukureshtit, Amanit, Sarajevës, Madridit dhe Bejrutit, të cilët ndanë vlerësimet e tyre për zhvillimet pozitive që po përjeton Prishtina.

“Ne po forcojmë diplomacinë urbane dhe po zhvillojmë ide të reja për të mirën e qytetarëve tanë. Ky është vizioni i Prishtinës që na nevojitet: një qytet i hapur, i zhvilluar dhe një referencë në agjendat globale,” deklaroi Rama.

Përmes pjesëmarrjes në këtë forum, Prishtina konfirmon rolin e saj si një qytet udhëheqës në zhvillimin urban progresiv, që nuk pret – por vepron, lidh dhe frymëzon. /Kosova.info/


Go to TOP