Rama pret komunitetin arbëresh: Thellohen lidhjet kulturore dhe institucionale me shqiptarët e Italisë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur sot në Odën e Kryeqytetit një delegacion të komunitetit arbëresh nga Italia, të cilët janë pasardhës të denjë të shqiptarëve që ruajnë me krenari gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar në vendin fqinj.

Në një takim të ngrohtë dhe simbolik, Rama theksoi rëndësinë e ruajtjes së lidhjeve shpirtërore dhe kulturore me arbëreshët, të cilët për shekuj kanë dëshmuar rrënjët e thella historike dhe shpirtin e pathyeshëm shqiptar.

“Arbëreshët janë dëshmi e gjallë e historisë sonë dhe krenarisë sonë kombëtare. Vëmendja dhe respekti për ta janë vlera që i mbajmë me përkushtim dhe përgjegjësi,” tha Rama.

Takimi u zhvillua në kuadër të një bashkëpunimi institucional dhe kulturor, me synim forcimin e lidhjeve ndërmjet komunave arbëreshe dhe institucioneve kosovare.

Kryetari Rama shprehu mirënjohjen e tij për këtë vizitë dhe për urat e miqësisë që po ndërtohen me komunitetet shqiptare jashtë vendit duke e konsideruar këtë si një mundësi të çmuar për thellimin e bashkëpunimit në fushat e kulturës, arsimit dhe trashëgimisë. /Kosova.info/


Go to TOP