Rama: Frank Wisner, një mik i shtrenjtë dhe mbështetës i palëkundur i Kosovës
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur pikëllimin e tij për ndarjen nga jeta të diplomatit amerikan Frank Wisner duke e cilësuar atë si një figurë të shquar të diplomacisë ndërkombëtare dhe një mik të madh të Kosovës.
Në një reagim publik, Rama theksoi rolin e jashtëzakonshëm të Wisner-it gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Si diplomat i lartë i SHBA-së, ai ishte një nga mbështetësit kryesorë të ndërhyrjes së NATO-s për të ndaluar gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe më pas luajti një rol kyç në procesin e rindërtimit dhe stabilizimit të vendit.
“Frank Wisner ishte një avokat i fuqishëm i pavarësisë dhe demokracisë për Kosovën duke ndihmuar që vendi të fitojë mbështetje ndërkombëtare për një të ardhme demokratike dhe të qëndrueshme,” u shpreh Rama.
Ai kujtoi takimin e tij personal me Wisner-in në vitin 2023, duke vlerësuar përkushtimin e tij të pashoq për Kosovën dhe gatishmërinë për të dhënë këshilla për të ardhmen e vendit.
“Kosova sot ka humbur një mik të vërtetë, një njeri që kuptoi thelbin e paqes dhe rëndësinë e të drejtës ndërkombëtare. Ai do të kujtohet gjithmonë për mirësinë, integritetin dhe dedikimin e tij të jashtëzakonshëm,” përfundoi Rama, duke shprehur ngushëllimet e tij më të sinqerta për familjen e Wisner-it dhe të gjithë ata që e nderuan. /Kosova.info/
