Rama dorëzon “Çelësin e Prishtinës” për Ekrem Bardhën: Nder për një jetë në shërbim të kombit

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka ndarë “Çelësin e Prishtinës” për z. Ekrem Bardha, një ndër figurat më të shquara të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe të lobit shqiptar në Shtetet e Bashkuara.

Në një ceremoni të mbajtur në Detroit, të mbushur me shqiptarë nga diaspora, Rama theksoi se ky akt nuk ishte thjesht simbolik, por një shenjë e drejtësisë historike dhe mirënjohjes së thellë për një jetë të tërë të përkushtuar ndaj çështjes kombëtare.

“Ishte një privilegj të dorëzoja Çelësin e Prishtinës për Ekrem Bardhën – një simbol i mirënjohjes sonë për kontributin e jashtëzakonshëm që ai ka dhënë për çështjen shqiptare ndër vite,” tha Rama.

Kryetari i Prishtinës theksoi rëndësinë e figurave si Ekrem Bardha, të cilët, megjithëse larg Atdheut, nuk e harruan kurrë rrënjën dhe mbetën të përkushtuar për të ndihmuar vendin në momentet më të vështira. Ai e quajti këtë nderim një mesazh të fuqishëm për brezat e rinj, që të mos harrojnë sakrificat që kanë sjellë lirinë dhe dinjitetin që gëzohet sot.

“Ishte një nder i jashtëzakonshëm të isha në mesin e shumë bashkëkombësve tanë patriotë në Detroit, për të nderuar një prej figurave më të mëdha të lobit shqiptar në Amerikë,” shtoi Rama.

Në fund, ai falënderoi Ekrem Bardhën për jetën e tij të përkushtuar dhe për rolin e tij të pazëvendësueshëm në avancimin e çështjes shqiptare në botë. /Kosova.info/


Go to TOP