Rama akuzon Çekun për bllokim të projektit të nënkalimit “Agim Ramadani”

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, për pengim të qëllimshëm të projektit të nënkalimit “Agim Ramadani”, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore të kryeqytetit.

Rama ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës e kishte shpallur tenderin për këtë projekt më 22 prill 2024, ndërsa shtatë muaj më pas, më 16 tetor 2024, ministri Çeku ka shtuar një nen të ri në të njëjtën rregullore duke përfshirë:

“1.8. Nënstrukturat e tilla si sistemi i kullimit, bodrumet e parkingjeve dhe strukturat ose shërbimet e thella nëntokësore që prekin trashëgiminë arkeologjike.”

Sipas Ramës, ky ndryshim është bërë posaçërisht për të bllokuar realizimin e projektit që synon transformimin e Prishtinës dhe lidhjen e qytetit të vjetër me qendrën moderne, përfshirë edhe ndërtimin e memorialit “Adem Jashari” në platformën e planifikuar mbi nënkalim.

“Ky është projekti që do ta lidhte Prishtinën e vjetër me qendrën duke krijuar edhe platformën për ndërtimin e memorialit ‘Adem Jashari’. Por ministri e bllokoi me një nen të ri,” ka deklaruar Rama.

Ai shtoi se “Prishtina e së ardhmes” do të vazhdojë të ndërtohet pavarësisht pengesave burokratike duke ftuar qytetarët të ndjekin detajet e projektit në faqen zyrtare: 🔗www.prishtina.work

#PrishtinaPertej #113 /Kosova.info/


Go to TOP