Qytetarët e Prishtinës kërkojnë që bileta mujore të vlejë edhe për operatorët privatë
Qytetarët e Prishtinës po shfrytëzojnë gjithnjë e më shumë autobusët e Trafikut Urban, duke qenë të kënaqur me oraret e përshtatshme, komoditetin gjatë verës e dimrit si dhe shërbimin e internetit falas. Një ndër aspektet më të vlerësuara është bileta ditore prej 80 centësh dhe bileta mujore me çmim të volitshëm. Megjithatë, qytetarët kërkojnë që bileta mujore të vlejë edhe për operatorët privatë.
Për Drenin 34 vjeç, autobusët e Trafikut Urban janë të shkëlqyer.
“Por mujorja duhet të vlejë edhe për privatët, për t’i lehtësuar të gjithë,” tha ai për Kosova.info.
Udhëtare e rregullt me autobusët lokalë është edhe 28 vjeçja, Arjeta.
“Përfitimi më i madh do të ishte nëse Trafiku Urban operon edhe në zona si Obiliqi, ku aktualisht shërbejnë vetëm operatorët privatë,” tha Arjeta për Kosova.info.
Ndërsa Valoni 40 vjeç, thotë se autobusët duhet ta kenë korsinë e tyre.
“Përse mos të kemi një sistem të integruar, ku biletat të vlejnë për të gjithë? Kjo do të ndihmonte qytetarët dhe do të ulte konfuzionin,” tha ai për Kosova.info.
