QRTK demanton Komunën e Prishtinës: Punimet filluan pa leje brenda zonës së mbrojtur, ndalimi u bë sot

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë (QRTK) ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Kryetarit të Prishtinës duke e akuzuar për dezinformim publik lidhur me punimet që po zhvillohen në sheshin “Xhorxh Bush”. Në një reagim zyrtar, QRTK sqaron se gjatë inspektimit të kryer më 28 prill 2025, është konstatuar se punimet e komunës atë ditë ndodheshin jashtë kufirit të zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës, dhe për këtë arsye nuk kishte ndërhyrje nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore.

Sipas QRTK-së, këtë konstatim e kanë bërë të ditur para mediave edhe nënkryetari i Komunës, i cili ishte zotuar publikisht se nuk do të ketë ndërhyrje pa leje në pjesët e mbrojtura ligjërisht duke e pranuar se Komuna nuk ka leje për të vepruar aty për shkak të moszbatimit të rekomandimeve ligjore.

Mirëpo, vetëm një ditë më pas, ky zotim është shkelur. QRTK dhe Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore raportojnë se më 29 prill, Komuna ka tejkaluar kufijtë e autorizuar dhe ka filluar punime brenda zonës së mbrojtur, pa lejen e nevojshme. Si rezultat, sot është ndërmarrë masa e ndalimit të punimeve nga institucionet përgjegjëse.

“Bëhet fjalë për dy anë: në njërën kap ligji dhe aty ne si zbatues të ligjit po veprojmë. Ligji është në pyetje, jo asfalti”, thuhet në reagim duke nënvizuar se zbatimi i ligjit është i njëjtë për të gjithë, pa dallim statusi institucional.

QRTK kërkon ndërhyrjen e organeve të drejtësisë për të ndalur shkeljet dhe për të vendosur përgjegjësi për çdokënd që vepron jashtë kornizës ligjore. Institucioni gjithashtu rithekson se do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e vet sipas ligjit duke ndaluar çdo punim që kryhet pa leje të miratuar.

“Pajisuni me leje dhe punoni. Pa leje, mos filloni,” përmbyllet reagimi i QRTK-së. /Kosova.info/


Go to TOP