Qeveritë e Ballkanit Perëndimor lançojnë një bazë të dhënash publike unike për rastet e personave të zhdukur

Hagë, 3 Nëntor 2022

Si pjesë e Procesit të Berlinit, sot në Hagë Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) dhe Grupi i Personave të Zhdukur (GPZH), i cili përbëhet nga institucionet vendase përgjegjëse për çështjet e personave të zhdukur, nga Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia, krijuan një bazë rajonale të të dhënave për rastet e personave të zhdukur aktivë nga konfliktet në territorin e ish-Jugosllavisë.

Krijimi i kësaj baze të dhënash unike interaktive do të thotë që të dhënat e përditësuara tani janë të disponueshme publikisht në çdo kohë, dhe u mundëson familjeve të të zhdukurve dhe të tjerëve të rishikojnë të dhënat ekzistuese dhe të ofrojnë informacione shtesë apo reagime online për institucionet vendase.

 “Krijimi i kësaj baze të dhënash publike është një shembull i dukshëm i bashkëpunimit rajonal: ajo pasqyron një angazhim për të dhenë informacion faktik dhe për të depolitizuar çështjen e personave të zhdukur,” tha sot Drejtoresha e Përgjithshme e ICMP-së, Kathryne Bomberger. “Baza Rajonale e të Dhënave do të shërbejë si një model për vendet në çdo pjesë të botës që përballen me detyrën e vështirë të llogaridhënjes së nje numri të madh personash të zhdukur si rezultat i konfliktit.”

Kreu i Programit të ICMP-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Holliday, vlerësoi angazhimin e institucioneve vendase në rajon, të cilat kanë bashkëpunuar për të krijuar një listë të vetme të rasteve të personave të zhdukur. “Kjo do të sigurojë transparencë dhe do të rrisë besimin midis palëve të interesuara në të gjithë rajonin,” tha ai.

Haki Kasumi, Kryetar i Komitetit Rajonal të Rrjetit Rajonal të Shoqatave të Familjeve të Personave të Zhdukur nga territori i ish-Jugosllavisë, tha: “Rrjeti Rajonal mirëpret përpjekjen e përbashkët të institucioneve përgjegjëse për çështjet e personave të zhdukur brenda GPZh-së, duke përfshirë krijimin e bazës së të dhënave rajonale. Pavarësisht përpjekjeve të bëra deri më tani, mbi 11,000 persona janë ende të zhdukur. Si rezultat, është kritike që të bëhen përpjekje të mëtejshme për të gjetur sa më shumë prej këtyre njerëzve dhe për të sjellë drejtësi në familjet e tyre”.

Veljko Odaloviç, Kryetar i Komisionit për Persona të Zhdukur të Qeverisë së Republikës së Serbisë, tha: “GPZH ka zgjeruar bashkëpunimin shumëpalësh për të adresuar rastet e personave të zhdukur dhe po ndihmon për të sjellë drejtësi te familjet. Kjo përpjekje nxit besimin midis institucioneve vendase dhe kontribuon në besimin në integritetin e përpjekjeve të bëra nga çdo organizatë për të llogaritur dhe identifikuar personat e zhdukur. Kjo do të ndihmojë në depolitizimin e çështjes”.

Dragan Djukanoviç, President i Komisionit për Personat e Zhdukur të Malit të Zi, tha: “Me përfshirjen e procesit të llogaridhënies së personave të zhdukur në kuadrin e Procesit të Berlinit dhe me lançimin e Bazës së të Dhënave Rajonale, ne kemi marrë një angazhim dhe kemi treguar se jemi gati për bashkëpunimin rajonal. Ky angazhim është i nevojshëm dhe na inkurajon të intensifikojmë veprimtaritë tona.”

Ivona Paltrinieri, Drejtoreshë e Drejtorisë për të Ndaluarit dhe Personat e Zhdukur të Ministrisë së Veteranëve Kroatë, tha: “Duke menduar për nevojat e anëtarëve të familjes, të cilët jetojnë me barrën e mosnjohjes së të vërtetës për vendndodhjen e të afërmve të tyre të zhdukur, ne e dimë se Baza e të Dhënave Rajonale do t’u sjellë ndihmesë atyre. Fakti që Baza e të Dhënave u mundëson përdoruesve të japin informacion shtesë e bën atë edhe më të dobishëm, ndaj do të doja të përfitoj nga ky rast për të ftuar të gjithë ata që mund të kenë informacion për një rast të personave të zhdukur që të përdorin këtë opsion për të dalë dhe për të ndarë këtë informacion.”

Mujo Hadziomeroviç, Kryetar i Bordit të Drejtorëve të Institutit të Personave të Zhdukur të Bosnjës dhe Hercegovinës tha: “Anëtarët e GPZH janë përgjegjës për arritje të jashtëzakonshme në procesin e llogaritjes së personave të zhdukur, pasi ata kanë hetuar dhe zgjidhur më shumë se 70% të rasteve të personave të zhdukur nga konfliktet në territorin e ish-Jugosllavisë. Kjo është përpjekja më e suksesshme dhe më e qëndrueshme e arritur kudo në botë për llogaritjen e personave të zhdukur nga një konflikt i armatosur. Ai është rezultat i një qasjeje të integruar të bazuar në sundimin e ligjit, angazhimin e familjeve të të zhdukurve, përdorimin e metodave moderne shkencore dhe sistemet e avancuara të të dhënave të IT-së”.

Andin Hoti, Kryetar i Komisionit Qeveritar të Kosovës për Persona të Zhdukur tha: “Duke pasur parasysh ndjeshmërinë dhe kompleksitetin e këtij procesi, jemi të vetëdijshëm se puna jonë gjykohet nga familjaret e personave te zhdukur përmes lenteve emocionale, të cilët pranojnë vetëm rezultate dhe përgjigje të qarta dhe në një kohë sa më të shkurtër. Një punë e rëndësishme është bërë në funksionalizimin e bazës së të dhënave rajonale për rastet aktive të personave të zhdukur nga luftërat në territorin e ish Jugosllavisë, por ende ka punë për të bërë në zbatim të komponentave tjera të planit”.

Qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Republikës Federale të Gjermanisë kanë mbështetur për shumë vite përpjekjet për të forcuar bashkëpunimin rajonal me qëllim zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur nga konfliktet e viteve 1990.

Lucy Ferguson, Zëvendës Shef i Misionit në Ambasadën Britanike në Hagë, tha: “Baza e të Dhënave Rajonale është një moment historik i rëndësishëm në llogaritjen e personave të zhdukur në Ballkanin Perëndimor. Bashkëpunimi thelbësor u ofron familjeve dhe shoqërive në rajon shansin më të mirë për të arritur drejtësinë, për t’u shëruar dhe për të ecur përpara.”

Christiane Hullmann, Shefja e Divizionit të Ballkanit Perëndimor në Ministrinë e Jashtme Federale të Berlinit, tha “Jam e bindur se ky projekt do të kontribuojë për paqen, stabilitetin dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në Ballkanin Perëndimor. Ai rrit nivelin e bashkëpunimit në proces dhe u mundëson familjeve të kenë akses në të drejtat e tyre.”

Baza e të dhënave Rajonale menaxhohet nga Grupi i Personave të Zhdukur (GPZH). Aktualisht përmban gjithsej 11,396 regjistrime. Ky numër do të ndryshojë kur raportohen raste të reja ose kur zgjidhen rastet. Baza e të dhënave është e kërkueshme sipas emrit, emrit të babait, mbiemrit dhe territorit të raportuar të zhdukjes. Duke klikuar në një rezultat specifik kërkimi, më shumë kategori të dhënash hapen për t’u parë.

GPZH përfaqëson një mekanizëm aktiv dhe shumëpalësh të bashkëpunimit pas konfliktit. Ajo është e rrënjosur në Deklaratën për Personat e Zhdukur e nënshkruar nga krerët e qeverive të 16 vendeve të Procesit të Berlinit të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë krerët e qeverive të Ballkanit Perëndimor, në Londër në 2018. GPZH operon në përputhje me një Plan Kornizë të dakorduar reciprokisht të aktiviteteve që fokusohet në çështje me rëndësi për të gjithë anëtarët për zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur në Ballkanin Perëndimor. Qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Republikës Federale të Gjermanisë janë duke financuar zbatimin e Planit Kornizë.

Për të siguruar llogaridhënien, GPZH raporton çdo vit në samitet e Procesit të Berlinit të Ballkanit Perëndimor dhe në një forum vjetor të shoqatave të familjeve të personave të zhdukur nga i gjithë Ballkani Perëndimor dhe Kroacia.

***

ICMP është një organizatë ndërqeveritare e bazuar në traktat me seli në Hagë. Mandati i ICMP është të sigurojë bashkëpunimin e qeverive dhe të tjerëve në gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur nga konflikti, abuzimet e të drejtave të njeriut, fatkeqësitë, krimi i organizuar, migrimi i parregullt dhe shkaqe të tjera dhe t’i ndihmojë ata për ta bërë këtë. Është e vetmja organizatë ndërkombëtare e ngarkuar ekskluzivisht për të punuar në çështjen e personave të zhdukur.

Go to TOP