Melençuk fiton trofeun ‘Lah Nimani’

Volodimir Melençuk nga Ukraina, e ka fituar trofeun kryesor në edicionin e 16-të të turneut ndërkombëtar në boks Lah Nimani.

Gara e dedikuar tash e sa vite grupmoshës së të rinjëve, ka sjellë në këtë edicion, një konkurrencë jashtëzakonisht të madhe, pas ardhjes së dy shteteve që njihen për cilësitë në këtë sport, Polonisë e Ukrainës.

Pjesëmarrësit tradicionalë të garës, Shqipëria, Mali i Zi, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, poashtu janë paraqitur me boksierë cilësorë.

Melençuk e pranoi trofeun nga djali i trajnerit Lah Nimani, Istrefi dhe talenti i ri ishte një nga 3 ukrainasit që morën çmime, pasi boksierja me perspektive u shpall Anhelina Filipçuk, kurse gjyqtari më i mirë Pavlo Vazilinçuk.

Epitetin e teknikut më të mirë e fitoi Ahmet Koçi nga Shqipëria, kurse çifti më luftarak u shpall dyshja Angel Dimitrov nga Bullgaria e Norbert Parkosh nga Polonia.

Boksieri më i mirë vendor u shpall Lumturim Xhoxhaj, kurse boksieri më i mirë i huaj Lisi Koxhaxhiku nga Maqedonia e Veriut.

Garat e këtij turneu u zhvilluan për dy ditë radhazi, të shtunën me gjysmëfinale dhe të dielën me finalet, të cilat edhe u transmetuan drejtpërdrejt në RTK.

Ky është edicioni i 16-të përmes së cilit përkujtohet jeta dhe vepra e strategut Kosovar, Lah Nimani, i cili ndërroi jetë në vitin 2008.

Go to TOP