Punëtorët e `Pastrimit` thonë se mund të mbesin pa punë
Një tender prej 16.5 milionë eurosh i shpallur nga Komuna e Prishtinës ka ngritur shqetësime të mëdha për punëtorët e Kompanisë Regjionale të Mbeturinave “Pastrimi”.
Ky tender ka ngritur shqetësime si nga ana e kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes “Pastrimi”, ashtu edhe nga Sindikata e Punëtorëve të Pastrimit.
Kështu thotë Petrit Reçica, kryeshef ekzekutiv i “Pastrimit”, i cili në një prononcim për Radio Kosovën, gjithashtu shqetësimin se ky veprim rrezikon mirëqenien sociale të punëtorëve dhe mund të çojë ndërmarrjen në falimentim.
“Me këtë veprim i rrezikohet mirëqenia sociale e punëtorëve, sepse rrezikohet ekzistenca e njësisë se Prishtinës. Një gjë e tillë e çon kompaninë drejt falimentimit dhe punëtorët kanë të drejtë të jenë të shqetësuar sepse është fakt ekzistues se një gjë e tillë mund t’i lë pa punë”, thekson Reçica.
Në kërkesat zyrtare drejtuar Komunës, Reçica po ashtu thekson se nuk kanë marrë asnjë përgjigje, ndërsa u bëri thirrje autoriteteve komunale të reflektojnë. Sipas tij, me një mbështetje financiare dhe investime kapitale, kompania mund t’i arrinte të gjitha objektivat e saj pa pasur nevojë për angazhimin e operatorëve privatë.
“Kjo shpallje ka të bëjë me 6 operatorë privatë, ku kushtet e përcaktuar në këtë tender ia pamundësojnë pastrimit të ofertojë në këto llote, sepse janë munduar t’i qesin disa specifika që nuk i ka pastrimi e një gjë e tillë është jashtë ligjore. Gjithashtu, është përcaktuar se një llot e fiton vetëm një operator që kushtimisht do t’i kemi 6 operatorë të ndryshëm privatë nëse komuna nuk e anulon një tender të tillë”, deklaron ndër të tjera Reçica.
Nga ana tjetër, Sindikata e Punëtorëve kërkon anulimin e tenderit dhe një angazhim më të madh nga Komuna dhe menaxhmenti për të mbrojtur interesat e punëtorëve. Florim Cakiqi, nga kjo sindikatë, tha se problemi nuk është vetëm me Komunën, por edhe me menaxhmentin e kompanisë, i cili ka ndërprerë çdo kontakt me autoritetet komunale. Cakiqi kërkoi që tenderi të anulohet menjëherë ngase nuk është në interes të punëtorëve dhe të ardhmes së kompanisë.
Ne jemi duke shkuar në faliment ndërsa drejtori po hap konkurse. Nuk po them që komuna është në rregull por kemi edhe brenda kompanisë probleme. Ne duhet të takohemi me kryetarin për ta anuluar tenderin sepse është në dëm të punëtoreve. Duhet largohet edhe menaxhmenti sepse nuk është i mirë për kompani. Nëse nuk merremi parasysh, do të bëjmë protesta deri në anulim të tenderit, deklaron Cakiqi.
Ndërkohë, në një reagim për media, Komuna e Prishtinës ka thënë se punëtorët e kompanisë “Pastrimi” nuk do të mbeten pa punë. Në reagim gjithashtu theksohet se kjo çështje qëllimisht po politizohet nga opozita, derisa thuhet se angazhimi i operatorit privat mbetet një mbështetje për kompaninë “Pastrimi” dhe jo zëvendësim i saj.
Punëtorët e kompanisë Regjionale “Pastrimi”, kërkojnë anulimin e tenderit dhe një angazhim më të madh nga menaxhmenti dhe Komuna e Prishtinës për të siguruar stabilitetin dhe vazhdimësinë e punës në ndërmarrje.
