Pse udhëheqësit e institucioneve mbajnë maska pa identitet?

Maskat mbrojtëse për fytyrë mbesin një produkt shumë i kërkuar si në botë ashtu edhe tek ne, ka filluar të kryejë edhe funksionin e modës. Nga pikturat murale të rrugës deri tek pjesët e stilistëve deri tek veprat virtuale, maska është bërë simboli i fundit i ditëve të sotme dhe frymëzimi më i zakonshëm artistik, ndërsa për shumë liderë botëror dhe politikan, mjet për të dalë nga anonimiteti përmes simboleve shtetërore.

Që nga shpërthimi i virusit, kjo lloj embleme pandemike ka ndikuar në krijimtarinë artistike, ku pjesa më e madhe paraqitet me simbole shtetërore.

Shumë nga liderët botëror, mbajtjen e maskave të fytyrës për të parandaluar përhapjen e COVID-19 e cilësuan si “patriotike”.

Fjalori i Oksfordit i gjuhës angleze e përkufizon fjalën patriotike sikur “të kesh ose të shprehësh përkushtim dhe mbështetje të fortë për vendin tënd”.

Ndërsa shumë liderë rajonal dhe botëror maskat i bartin me flamuj shtetëror, madje në disa si të obliguar, në Kosovë përfaqësues të institucioneve nuk e ndjekin një trend të tillë identifikues.

Por pse?

“Sepse janë idiot dhe nuk janë patriot”, e përkufizon kështu analisti politik Nexhmedin Spahiu.

“Shumica e bartësve të institucioneve nuk janë patriotë. Shkurt e gjatë nuk ka ku shkon më tej”, tha ai për Kosova.info.

Ndërsa profesori universitar, Haqif Mulliqi, duke iu referuar vizitës së kryeministrit të Shqipërisë në Prishtinë dhe dizajnit të maskës që bartte ai, tha se s’do mend se shumë kë prej nesh na ka cytur të mendojmë se, për ç’arsye shtetarët e Kosovës nuk bartin maska që i identifikojnë me shtetin tonë.

“Flamuri, stema apo edhe ndonjë element tjetër në maskë, patjetër se përfaqëson një lloj identiteti dhe, mbi të gjitha përçon mesazh. Fatkeqësisht zyrtarët e Kosovës nuk e bëjnë këtë për më shumë se një vjet e gjysmë që përballemi me pandemi. Kjo, mendoj se është mungesë dije e jo vullneti”, tha ai për Kosova.info.

Në fund të fundit sipas tij, kjo do të ishte detyra e këshilltarëve të shumtë që t’ua rekomandonin një gjë shefave të vetë e jo të servilosen.

“Kjo, edhe për shkak të situatës si dhe për shkak të madhësisë do të ishte më shprehëse se sa në karfice që e bartin ata në sako, nëse e bartin dhe do të përçonte mesazh të qartë te miqtë dhe armiqtë. Në fakt, 13 vite pas pavarësimit të Kosovës, kjo mungesë identiteti habitë dhe zhgënjen. Por, edhe më shumë nxitën dilema se përse ndodhë një gjë e tillë”, tha ai.

Mulliqi shpreson të jetë punë e mungesës së ideve se sa ndonjë veprim qëllimkeq, paçka e asnjëra prej këtyre nuk përjashtohet.

“Thjeshtë, askush nuk duhet t’i frikësohet identitetit që është krijuar këtu dhe faktit që ekzistojnë shqiptarët e Kosovës dhe se do të ekzistojnë përjetë”, tha ai. /Kosova.info/

Go to TOP