Prokuroria kërkon nga Apeli që Zoran Vukotiqit t’i ashpërsohet dënimi, mbrojtja kërkon lirimin e tij

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka kërkuar dënim me të ashpër sesa ai me 10 vite burgim, që Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka shqiptuar Zoran Vukotiqit, pasi u shpall fajtor për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë. Në anën tjetër, mbrojtja po kërkon lirimin e të njëjtit.

Vukotiq u dënua nga shkalla e parë me 10 vite burgim, më 5 korrik të këtij viti.

Të pakënaqur me këtë aktgjykim të Themelores, PSRK ka kërkuar nga Apeli që ndaj tij të ashpërsohet dënimi.

Në anën tjetër, mbrojtësi i Vukotiqit, avokati Nebojsha Vlajiq, me ankesën e ushtruar në Apel, i ka propozuar kësaj të fundit që aktgjykimin dënues të shkallës së parë ta ndryshojë për shkak të të gjitha bazave ankimore.

Ankesë kundër këtij aktgjykimi ka parashtruar edhe përfaqësuesja e palës së dëmtuar, Shpresa Berisha, lidhur me vendimin mbi dënimin, duke pretenduar se janë plotësuar të gjitha kushtet që të lartpërmendurit t’i caktohet një dënim më i lartë.

Në seancën e së martës këto ankesa u shqyrtuan nga kolegji në përbërje nga gjyqtarët Aferdita Bytyqi, Tomislav Petroviq dhe Bashkim Hyseni.

Prokurori i Apelit, Arben Ismaili, deklaroi se e mbështet në tërësi ankesën e PSRK-së dhe përfaqësueses së palës së dëmtuar, ndërsa propozoi që ankesa e avokatit të refuzohet.

Në ankesën e avokatit Vlajiq, të cilën e referoi gjykatësi Tomislav Petroviq, thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë nuk ka kompetencë territoriale, për shkak se kompetenca territoriale caktohet sipas vendit ku është kryer krimi.

“Vepra penale për të cilën akuzohet Vukotiq është kryer në Vushtrri, në këtë rast është kompetente të veproj Gjykata Themelore ne Mitrovicë, që do të thotë nuk është vepruar sipas obligimeve ndërkombëtare”, tha gjykatësi Petroviq.

Avokati Vlajiq, tha se ankesa e prokurorisë është e pa bazuar, duke shtuar se e njëjta nuk duhet të aprovohet, ndërsa sa i përket ankesës së përfaqësueses së palës së dëmtuar, ai tha se është e pa lejuar.

Tutje, Vlajiq tha se në rastin e Vukotiqit të gjitha provat janë jo ligjore dhe i njëjti duhet të lirohet nga akuza. Sipas tij, kthimi në procedurë kishte me qenë shkelje e ligjit.

Ndryshe, Vukotiq u dënua nga Themelorja për akuzat se si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë luftës në Kosovë, më 22 maj 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, në territorin e Komunës së Vushtrrisë, ka marr pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe, me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore.

Sipas prokurorisë, Vukotiq ka kryer dhunim seksual si pjesë e një sulmi të gjerë dhe sistematik ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar.

Go to TOP