Profesor Shyqëri Obërtinca bën thirrje për mbrojtjen e gjimnazit “Xhevdet Doda”: JO zhvendosjes, PO arsimit cilësor

Profesor Shyqëri Obërtinca ka ngritur zërin kundër vendimit për zhvendosjen e Gjimnazit “Xhevdet Doda” në Prishtinë, duke bërë thirrje për mbrojtjen e këtij institucioni arsimor të rëndësishëm. Ai thekson se, ndonëse nuk janë kundër reformave që synojnë riorganizimin e sistemit shkollor, zhvendosja e gjimnazit dëmton interesat e nxënësve, mësimdhënësve dhe komunitetit.

Në një apel publik, Obërtinca përkujton odiseadën e gjatë të zhvendosjeve të mëparshme të gjimnazit, duke përfshirë rastin e vitit 2002/2003 kur objekti i shkollës u rrënua për t’i hapur rrugë ndërtimit të Katedrales.

Ai nënvizon se kjo shkollë ka kaluar vite për t’u kompletuar me të gjitha kushtet e nevojshme për një mësimdhënie dhe mësimnxënie cilësore.

“Tani, kur gjithçka është funksionalizuar, institucionet e arsimit sërish po propozojnë zhvendosjen e gjimnazit”, ka shkruar ai.

Obërtinca dhe komuniteti kërkojnë që përpjekjet të përqendrohen në ndërtimin e shkollave të reja dhe përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese, në vend të ndërrimit të destinacionit të shkollave, për të mundësuar mësimin në një ndërrim dhe krijimin e një ambienti të përshtatshëm për nxënësit. /Kosova.info/

Go to TOP