Presidentja Osmani: Kushtetuta e Kaçanikut themeli mbi të cilin u ngrit Republika e Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot 34-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut, të cilën e ka cilësuar si aktin më të lartë të guximit politik dhe besimit në lirinë e pavarësinë e vendit.
“Më 7 shtator 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës i dhanë jetë Kushtetutës së Kaçanikut, aktit më të lartë të guximit politik dhe besimit në lirinë dhe pavarësinë tonë. Kjo Kushtetutë ishte shkëndija që mbajti gjallë shpresën dhe qëndresën, si dhe themeli mbi të cilin u ngrit Republika e Kosovës”, ka shkruar Osmani.
Ajo theksoi se Kushtetuta e Kaçanikut ishte më shumë se një dokument juridik, duke e konsideruar atë si një betim për liri dhe pavarësi.
“Sot, përulemi me nderim para atyre që guxuan atëherë kur duhej të rrezikonin gjithçka dhe me krenari vazhdojmë rrugën që ata trasuan”, përfundoi Presidentja. /Kosova.info/
