Portugalia e nisë me fitore rrugëtimin në Euro 2024 

Portugalia ka arritur një fitore dramatike me përmbysje kundër Çekisë, duke triumfuar me rezultatin 2-1 në ndeshjen e Grupit F, të zhvilluar në “Red Bull Arena Leipzig”.

Pjesa e parë e ndeshjes është karakterizuar nga dominimi i plotë i Portugalisë, e cila mbajti kontrollin e lojës dhe topin në shumicën e kohës në repartin e mbrojtjes çeke. Pavarësisht rasteve të mira për shënim nga Cristiano Ronaldo dhe Rafael Leao, rrjeta ka mbetur e paprekur deri në fund të pjesës së parë.

Pjesa e dytë ka sjellë ndryshime të mëdha, ku janë shënuar tre gola. Edhe pse portugezët e kanë kërkuar vazhdimisht golin, ka qenë Çekia që ka kaluar e para në epërsi. Në minutën e gjashtëdhjetë e dytë, Provod ka shënuar një gol të bukur nga distanca, duke kaluar Çekinë në avantazh.

Ky gol ka rritur përpjekjet e Portugalisë për të barazuar. Shtatë minuta më vonë, një aksion i portugezëve ka detyruar Hranac të shënojë autogol, duke barazuar rezultatin në 1-1.

Në minutat e fundit të ndeshjes, Portugalia ka intensifikuar përpjekjet për të gjetur golin e fitores. Diogo Jota ka shënuar në minutën e tetëdhjetë e shtatë, por goli është anuluar nga VAR. Megjithatë, koha shtesë është bërë momenti vendimtar kur Conceiçao ka gjetur rrjetën, duke siguruar fitoren për Portugalinë.

Go to TOP