Policia: Teknologjia e re mundëson identifikimin automatik të kundërvajtjeve
Sistemi i ri i kamerave të sigurisë në Prishtinë ka nisur zyrtarisht shqiptimin e gjobave për të gjithë shkelësit e rregullave të trafikut, ku faturat e dënimeve dërgohen drejtpërsëdrejti në adresat postare të qytetarëve.
Policia ka vënë në funksion sistemin e ri të evidentimit automatik të kundërvajtjeve në trafik, kur çdo shkelje regjistrohet dhe ruhet automatikisht me të dhëna për vendin, datën dhe kohën e kryerjes së kundërvajtjes, për t’i lënë hapësirë verifikimit, duke ia lehtësuar edhe punën zyrtarëve të policisë. Ky projekt që synon të rrisë sigurinë në trafik, po rezulton tejet efikas, duke regjistruar mesatarisht 50 deri në 100 gjoba çdo ditë.
Mijëra vetura qarkullojnë çdo ditë brenda kryeqytetit pa regjistrim. E për këto kundërvajtje dhe shumë të tjera, tanimë Policia e Kosovës me sistemin e ri do të shqiptojë gjoba automatikisht përmes kamerave që monitorojnë Prishtinën gjatë tërë kohës.
Mentor Muja, komandant i Njësisë së Trafikut për rajonin e Prishtinës, thotë se më këtë sistem të ri, tanimë kundërvajtjet do të evidentohen automatikisht dhe se kjo do të lehtësojë shumë punën e policisë.
“Tashmë me avancimin e teknologjisë është i mundur identifikimi i kundërvajtjeve në mënyrë automatike. Sistemi është i programuar në atë mënyrë që posa kamera të identifikojë një kundërvajtje e ruan në mënyrë të videos kundërvajtjen në një folder të veçantë duke e përmbajt vendin, datën dhe kohën e kundërvajtjes në formë të videos dhe pastaj posa të arkivohet zyrtarët policor bëjnë verifikimin e atij folderi për të parë se cilat kundërvajtje janë bërë në atë kohë të caktuar dhe në vend të caktuar. Pasi të identifikohet kundërvajtja bëhet edhe një verifikim tjetër për të identifikuar saktë pronarin e veturës dhe bëhet shqiptimi i gjobës ndaj pronarit të automjetit”, tha Muja.
Ai tregoi se cilat janë shkeljet përmes së cilës evidentohen nga kamerat e sigurisë në kryeqytet.
“Kundërvajtjet të cilat detektohen përmes kamerave të sigurisë janë disa si qarkullimi i automjeteve pa regjistrim, mosrespektimi i shenjave të trafikut rrugor, kthimi gjysmërrethor ku ndalohet me shenjë, ndalimi apo parkimi i automjetit në shirit rrugor apo në trotuar, lëvizja në rrugë njëkahore e të tjera”, shtoi ai.
Në kamerat që janë aktive gjatë tërë kohës, deri kohë më parë qëndronte një polic kujdestar dhe monitoronte shkeljet, mirëpo tanimë këtë punë e bëjnë kamerat, të cilat gjatë ditës evidentojnë mijëra kundërvajtje. Pasi ato të regjistrohen në sistem, zyrtarët policor i thërrasin kundërvajtësit përmes telefonit për t’i treguar për gjobën ose ua dërgojnë përmes postës.
