Pulisice lavdëron Balogun pas dy golave ndaj Paraguait

Kapiteni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christian Pulisic, e ka vlerësuar lart paraqitjen e sulmuesit Folarin Balogun pas fitores bindëse 4:1 ndaj Paraguait në ndeshjen e parë të Kupës së Botës 2026.

Balogun ka qenë lojtari më i spikatur i takimit, duke shënuar dy gola në debutimin e tij në një Botëror dhe duke i dhënë SHBA-së një nisje ideale të turneut.

Pas ndeshjes, Pulisic nuk i ka kursyer elozhet për bashkëlojtarin e tij.

“Jemi me fat që e kemi në skuadër. Ai është i jashtëzakonshëm dhe shumë i rrezikshëm para portës. Shpresojmë të vazhdojë në këtë formë”, ka thënë Pulisic.

Me këtë paraqitje mbresëlënëse, Balogun ka dhënë një sinjal të fortë se mund të jetë një nga lojtarët më të rëndësishëm të SHBA-së në vazhdim të Kupës së Botës.

Njëzet e katër vjeçari realizoi dy gola në pjesën e parë.

“Ishte një ëndërr e vërtetë. Një natë ëndrrash”, ka thënë Balogun pas ndeshjes.

Sulmuesi ka shtuar se ende nuk e kishte kuptuar plotësisht rëndësinë e asaj që kishte arritur në debutimin e tij botëror.

Balogun është i lindur në New York, por është rritur në Londër dhe është zhvilluar si futbollist në akademinë e Arsenal. Pasi luajti për grupmoshat e Anglisë, ai vendosi në vitin 2023 ta përfaqësojë SHBA-në në arenën ndërkombëtare.

Ai ka thënë se mbështetja e tifozëve amerikanë ka qenë një motivim i madh për të dhe se synon t’ua shpërblejë besimin me paraqitje të mira në Botëror.

Go to TOP