“Armë zjarri e thika”, mbi 200 incidente për 4 muaj në shkollat e Kosovës

Policia e Kosovës për vetëm 4 muaj të vitit 2026 ka regjistruar mbi 200 raste të incidenteve nëpër shkolla. Këto lidhen edhe me përdorimin apo posedimin e armëve të zjarrit dhe armëve të ftohta që nxënësit i marrin me vete nëpër institucione arsimore. Njohësit e çështjeve të sigurisë konsiderojnë se zyrtarët policorë duhet të bëjnë patrullime të rregullta, teksa psikologët thonë se sjellja e tillë te të miturit vjen si pasojë e qasjes jo të duhur të familjeve, shoqërisë dhe rrjeteve sociale.

Shkollat konsiderohen si vendet më të sigurta për fëmijët.

Por shpesh, janë vetë të miturit që rrezikojnë njëri-tjetrin brenda hapësirave të institucioneve arsimore.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, për krejt vitin 2025 janë raportuar 604 raste të incidenteve nëpër shkolla.

Ndërkaq, për vetëm katër muajt e parë të 2026-tës, pra deri në prill, policia ka regjistruar 237 raste të tilla.

Në mesin e incidenteve shpesh përfshihet edhe përdorimi i armëve të zjarrit dhe armëve të ftohta brenda shkollës.

“Nëse kemi raste të tilla, konfiskohen armët e tilla, mund të jenë armë zjarri, thika, boksa…Duhet të mbahet evidence të ndryshme, të grupeve të ndryshme të cilat janë afër shkollave, mund të kenë armë, ose drogë, do të thotë bastisën personat e dyshimtë, nxënësit e dyshimtë. Drejtoria e shkollës duhet ta mbulojë shkollën me kamera”, ka thënë Refki Morina, Nënkolonel policor në pension.

Ndërkohë, Besnik Dragusha nga Këshilli i Prindërve të Kosovës, në lidhje me këtë situatë, thotë se kanë kërkuar nga Ministria e Arsimit që të hartojë Strategjinë Kombëtare për Sigurinë në shkolla.

Ajo, sipas tij, do të duhej të përcaktonte përgjegjësitë e secilit akter, nga MASH e deri te prindërit.

“Jemi të shqetësuar për numrin e madh të rasteve të tilla. Edhe nëse ky numër nuk rritet dhe mbetet në nivelin e vitit të kaluar, ai tregon se nuk ka pasur përmirësim cilësor në aspektin e sigurisë fizike brenda institucioneve arsimore të Kosovës. Sa i përket bashkëpunimit ndërmjet prindërve, nxënësve dhe mësimdhënësve, vlerësoj se ai është shumë i mirë në nivelin e shkollës fillore (klasat I–V), ndërsa në nivelet e tjera vjen duke u zbehur”, ka thënë Besnik Dragusha, Kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës.

Familja, shoqëria dhe rrjetet sociale, vlerësohet se mbesin shkaktarët kryesorë që shtyjnë të miturit të kryejnë vepra penale.

“Konfliktet familjare, mungesa e mbikëqyrjes, presioni nga bashkëmoshatarët dhe ekspozimi ndaj përmbajtjeve të dhunshme, mund ta rrisin rrezikun e sjelljeve të tilla. Shenjat paralajmëruese janë agresivitet i shtuar, izolim social dhe interesim i shtuar për armët. Konfliktet e shpeshta dhe ndryshimet e papritura në sjellje janë vetëm disa nga shenjat që kërkojnë vëmendje”, ka thënë Ilir Havolli, Shoqata e Psikologëve të Kosovës.

Psikologët konsiderojnë se edukimi emocional tek të miturit është masë e rëndësishme parandaluese.

Ndërkohë, MASH nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e televizionit lidhur me këtë çështje.

Go to TOP