Policia e Kosovës, me kërkesë nga Gjermania arreston personin me shtetësi jordaneze e gjermane
Policia e Kosovës e ka arrestuar një person me shtetësi gjermane dhe jordaneze.
Sipas policisë, kërkesa për bashkëpunim ka ardhur nga Gjermania, pasi i njëjti ishte person i dyshuar për autoritetet gjermane.
“Hetuesit policorë nga Sektori i Hetimeve të Departamentit të Policisë Kufitare, pas një pune hetimore-operative kanë arritur që në një hotel në Prishtinë të lokalizojë vend-ndodhjen e personit të cilin ishin duke u kërkuar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Më tej, policia bëri të ditur se tek i dyshuari janë gjetur dy pasaporta, por me identitet të ndryshëm, përfshirë moshën, ku në njërin dokument, sipas policisë, figuronte si 26-vjeç e në tjetrin si 23-vjeç.
“Hetuesit policorë të dyshuarin e kanë shoqëruar në zyre të FAST Kosova për të vazhduar me procedurat e parapara në raste të tilla. Pas konsultimit me prokurorin e Prokurorisë Themelore të Departamenti i Përgjithshëm në Prishtinë i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftim.
