Piano, instrument i vetëm ku shprehen dy artiste në të njëjtin instrument
Duo pianistet: Merita Raxha-Tërshana dhe Lirika Pula-Kasapolli, do të shfaqin koncert në piano, ku do të ekzekutojnë veprat e Moxartit, Shubertit, Bramsit, pastaj të autorëve shqiptarë, si të Aliçkajt, Qafokut, etj.
Merita Raxha-Tërshana pianiste nga Shqipëria, ndërsa Lirika Pula-Kasapolli, pianiste nga Kosova, në “Mirëmëngjesi Kosovë”, në RTK, folën për bashkëpunimin e tyre. Pianistja Tërshana tha se ka disa vite që bashkëpunon me pianisten Kasapolli.
Bashkëpunime të tilla nga Kosova e Shqipëria po bëhen gjithnjë e më intensive.
“Si duo kemi disa vite që luajmë bashkë. Në formacionin me katër duar në një piano kemi filluar në vitin 2017 dhe vazhdojmë edhe sot”, tha Tërshana.
Ajo evokoi momentin e njohjes me pianisten Lirika, e cila kishte qenë studentja e parë Tërshanës, që sapo kishte filluar punën si pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve.
Ndërkaq, Lirika Pula Kasapolli tha se ka kujtime të bukura nga Akademia e Arteve të Tiranës.
Dhe miqësia e tyre u kurorëzua me shfaqje koncertesh së bashku- duo në piano.
“Sa më shumë që luajmë bashkë aq më kollaj bëhet koncerti”, tha Tërshana, derisa Pula tha se “piano është instrumenti I vetëm që na lejon të shprehurit ë dy artisteve në të njëjtin instrument”.
Këto dy artiste të pianos sonte do të mbajnë koncert në Shkup, kurse nesër në Prishtinë, të Ateleu i Pallatit të Rinisë nga ora 20:00.
