Petkoviq: Lista Serbe me fitoren në zgjedhje e çliroi veriun prej kryetarëve shqiptarë të komunave

Drejtori i zyrës për propagandë kundër Kosovës, e ashtuquajtura “zyre serbe për Kosovën”, Petar Petkoviq, është takuar me të dërguarin e kryeministrit të Hungarisë Viktor Orban për Ballkanin Perëndimor, Zsolt Bunford, si dhe me ambasadorin e Hungarisë në Serbi, Jozsef Magyar, të cilët i ka “informuar” për detajet e zgjedhjeve lokale së fundmi të përfunduara në Kosovë, por edhe për qëndrimet e Beogradit në kuadër të dialogut me Kosovën.

Petkoviqi ka thënë se serbët, pavarësisht “pengesave nga ana e Prishtinës, të cilat kanë shkaktuar kriza gjatë gjithë procesit zgjedhor”, kanë dalë në numër të madh për të votuar dhe i kanë dhënë mbështetje të fuqishme Listës Serbe, duke rikthyer kështu komunat në veri të Kosovës, transmeton Paparaci.

„Populli serb, me fitoren bindëse të Listës Serbe, e ka çliruar veriun nga kryetarët e rremë shqiptarë dhe njëkohësisht ka fituar kryetarë serbë që do të marrin vendime në interesin më të mirë të popullit serb“, ka thënë ai në propagandën e tij të radhës.

Petkoviq ka theksuar se “Prishtina, e udhëhequr nga Albin Kurti, tashmë po kërcënon me masa të reja të njëanshme dhe me mohimin e të drejtave shtesë për serbët, gjë që është në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut”. Ai ka vazhduar me demagogjinë tashmë të njohur të regjimit aktual në Serbi, se “Beogradi, i udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq, pavarësisht provokimeve nga Prishtina, do të sillet me përgjegjësi dhe do të mbetet i përkushtuar ndaj ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në hapësirën e Ballkanit Perëndimor”.

Ai gjithashtu i ka shprehur falënderime të veçanta bashkëbiseduesit të tij për angazhimin e ushtarëve hungarezë në kuadër të misionit të KFOR-it, por edhe për mirëkuptimin e Qeverisë së Hungarisë në lidhje me shumë çështje me rëndësi kombëtare dhe interes për Serbinë, duke theksuar se në këtë kanë ndikuar padyshim edhe marrëdhëniet e ngushta miqësore mes Vuçiqit dhe kryeministrit hungarez Viktor Orban.

Go to TOP