Rrëshqitje dheu në rrugë, Rama pezullon inspektorët dhe kërkon hetim
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se bashkë me ekipet e Kryeqytetit dhe Policinë ndodhet në terren duke monitoruar nga afër situatën e krijuar pas rrëshqitjes së dheut në rrugën “Malush Kosova”.
Rama ka kërkuar nga Prokuroria që të nisë menjëherë procedurat hetimore për zbardhjen e plotë të rastit duke ofruar bashkëpunim të plotë institucional dhe qasje në çdo informacion të nevojshëm.
Ai gjithashtu ka njoftuar se ka kërkuar nga Drejtoria e Inspeksionit pezullimin e menjëhershëm nga detyra të inspektorëve të përfshirë, si dhe ndalimin e çdo angazhimi të tyre në këtë rast deri në përfundim të hetimeve.
Paralelisht, është urdhëruar edhe nisja e një hetimi të brendshëm për të verifikuar raportet e inspektimit, frekuencën e kontrolleve në terren dhe për të identifikuar çdo lëshim apo shkelje të mundshme. Sipas Ramës, nëse konstatohen parregullsi, do të ndërmerren masa të menjëhershme, që përfshijnë largim nga puna dhe ndjekje penale.
Ndërkohë, autoritetet janë në koordinim të vazhdueshëm me Policinë, e cila ka vënë në prioritet menaxhimin e situatës dhe ruajtjen e rendit publik në zonë.
Kryetari Rama u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjen në këtë pjesë të qytetit deri në stabilizimin e plotë të situatës. /Kosova.info/
