Përkujtohet Arshi Pipa si antikomunist në mbrojtje të të drejtave të njeriut

Në Shkodër u mbajt sot “Dita e Arshi Pipës”, organizuar nga Muzeu Historik i Shkodrës në bashkëpunim me Muzeun e Dëshmisë dhe Kujtesës. “Dita e Arshi Pipës” u organizua në nderim të kontributit të profesor Pipës si intelektual dhe antikomunist në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të njeriut në Shqipëri dhe Kosovë.

Muzeu Historik i Shkodrës së bashku me Muzeun e Dëshmisë dhe Kujtesës i kushtuan sot një ditë të veçantë figurës së profesor Arshi Pupës, mësuesit, publicistit, poetit, gjuhëtarit, kritikut letrar, përkthyesit, i cili, për bindjet e tij antikomuniste, u dënua me burgim nga regjimi komunist i kohës. Vuajtjet në burgjet dhe kampet e punës të regjimit komunist Arishi Pipa i ka përshkruar në “Libri i Burgut”, pjesë të të cilit i shkroi kur vuante dënimin si i burgosur politik.

Drejtori i Muzeut Historik të Shkodrës, Sokol Permeza, tha se Arshi Pipa ishte një figurë shumëdimencionale. Përtej të qenurit antikomunist, tha ai, profesor Pipa ishte një intelektual shumë i angazhuar dhe i vetëdijshëm për situatën kombëtare.

“Arshi Pipa pati mundësi që vizionin e tij ta vinte në shërbim të kritikës ndaj regjimit komunist, po sigurisht brenda objektivitetit të tij shkencor. Ai shquhet për analiza të jashtëzakonshme kritike për letërsinë shqipe, ku spikasin analizat për Migjenin, për letërsinë e realizmit socialist, intervistat e jashtëzakonshme për Kosovën, parashikimet e tij dhe, sigurisht, bindja e tij që një formulim i vetëdijes tonë kombëtare nuk mund të bëhej pa shëmbjen dhe rënien e komunizmit”, tha ai.

Arshi Pipa u arrestua në vitin 1946 dhe u dënua me 20 vite burg nga gjykata komuniste, nga të cilat kreu 10 vite burgim duke kaluar nga burgu i Durrësit, në kampin e punës së Vloçishtit, burgun e Gjirokastrës e Korçës, atë të Tiranës dhe më pas në burgun e Burrelit ku qëndron deri sa u lirua, në vitin 1956.

Pas kësaj arratiset nga Shqipëria dhe në vitin 1958 emigron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kreu pjesën më të madhe të veprimtarisë së tij, duke dhënë mësim në disa universitete amerikane. Profesor Pipa mbajti lidhje me shoqatën panshqiptare “Vatra”, me “Diellin” dhe “Zërin e Amerikës” duke u bërë një zë i fuqishëm në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të njeriut në Shqipëri dhe Kosovë.

Sipas përgjegjësit të Muzeut të Dëshmisë dhe Kujtesës, Pjerin Mirditës, Arshi Pipa ishte një figurë shumë dimensionale.

“Pipa është një figurë shumëdimencionale. Ka punuar dhe ka zhvilluar aktivitetin e tij kryesisht në SHBA duke qenë një zë i fuqishëm për çështjen shqiptare në periudhën ndoshta më të errët që ka pasur Shqipëria gjatë historisë së saj, diktaturës komuniste”.

Një vit përpara se të ndahej nga jeta, profesor Arshi Pipa i dhuroi Muzeut Historik të Shkodrës bibliotekën dhe gjithë arkivin personal, një pasuri e vyer për studiuesit, e cila dëshmon mbi përmasat e personalitetit të tij.

Ndahet nga jeta më 20 korrik të vitit 1997 në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Go to TOP