Pejë, nis fushata për parandalimin e zjarreve fushore dhe malore

Në prag të sezonit veror, institucionet e sigurisë dhe emergjencës në Pejë kanë nisur një fushatë sensibilizuese për parandalimin e zjarreve fushore dhe malore, duke bërë thirrje për kujdes të shtuar dhe raportim të menjëhershëm të çdo rasti të dyshuar.

Për këtë qëllim, Stacioni Policor në Pejë, Brigada e Zjarrfikësve, Qendra Emergjente dhe Zyra për Mbështetje dhe Shpëtim zhvilluan një takim të përbashkët me përfaqësues të bashkësive lokale dhe Komiteteve Lokale për Siguri Publike.

Pjesëmarrësit u dakorduan të intensifikojnë aktivitetet informuese dhe ndërgjegjësuese për të parandaluar zjarret dhe për të mbrojtur jetën e qytetarëve, pronën dhe mjedisin.

Ata apeluan që çdo rast i dyshuar i ndezjes së zjarrit të raportohet te institucionet përgjegjëse, duke rikujtuar se “Një zjarr i vogël mund të shkaktojë pasoja të mëdha”. /Kosova.info/

Go to TOP