Peci: Eksporti i domates është rritur deri në 445% – 60 hektarë sera të reja të mbështetura nga qeveria

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka bërë të ditur se eksporti i domates nga Kosova ka shënuar një rritje rekord prej 445% gjatë viteve të fundit.

Përmes një postimi, Peci tha se në vitin 2021, eksporti i domateve në peshë ishte 135 tonë, ndërsa në vitin 2024 ka arritur në 2900 ton, duke reflektuar një sukses të jashtëzakonshëm për sektorin e bujqësisë.

Ministri theksoi se kjo arritje ka ardhur falë mbështetjes së vazhdueshme nga qeveria përmes programeve për zhvillim rural, ku janë financuar 60 hektarë sera të reja me vlerë prej 13.7 milionë euro.

“Ky sukses është pasqyrim i mbështetjes së qeverisë, që ka krijuar kushte të favorshme për zhvillimin e bujqësisë dhe angazhimit të palodhur të fermerëve tanë,” ka deklaruar Peci.

Sipas tij, përveç mbështetjes financiare, politika e qeverisë ka ndikuar edhe në përmirësimin e cilësisë së produkteve vendore dhe rritjen e konkurrencës në tregjet ndërkombëtare.

Bujqësia mbetet një ndër sektorët me potencial të lartë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, ndërsa qeveria ka paralajmëruar vazhdimin e investimeve për t’i dhënë hov rritjes së eksporteve në vitet në vijim. /Kosova.info/


Go to TOP