PDK në Dragash: Prioritet fondet në blegtori, turizëm dhe shëndetësi

Për Dragashin ka plane konkrete për ndryshim e jo propagandë. Kështu u tha sot në tubimin elektoral të Partisë Demokratike të Kosovës në këtë komunë. E këto projekte, sipas Memli Krasniqit, kryetar i këtij subjekti politik, mund të realizohen vetëm me Shaban Shabanin, kandidat për kryetar komune nga kjo parti. Ky i fundit tha se fondet në blegtori, turizëm, shëndetësi e administratë efikase do të jenë ndër prioritetet e tij.

Dragashi ishte sot ndalesa në kuadër të fushatës elektorale për Partinë Demokratike të Kosovës. Në praninë e Memli Krasniqit, kryetarit të këtij subjekti politik, u prezantua Shaban Shabani, kandidat për kryetar komune nga radhët e kësaj partie. Për të, Krasniqi tha se është njeri i punës, ashtu siç ka nevojë Dragashi. Ai tha se banorët nuk kanë nevojë për propagandë, prandaj kandidatin për kryetar e cilësoi si njeri të duhur për t’i sjellë zhvillim Dragashit dhe kësaj ane. Prandaj, Krasniqi tha se i jep mbështetje të plotë atij dhe listës së kësaj partie për anëtarë të Kuvendit Komunal.

“Një pushtet që i frikësohet fjalës së lirë dhe e zëvendëson atë me propagandë nuk i shërben qytetarëve. Dragashi ka nevojë për punë të vërteta, të cilat di t’i bëjë mirë Shaban Shabani. Sot, para jush, me krenari prezantojmë kandidatin tonë për kryetar të komunës, Shaban Shabanin”, tha Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së.

Në fjalën e tij, kandidati i PDK-së për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani, theksoi se programi i tij është i ndërtuar mbi nevojat reale të qytetarëve. Ai tha se ka plane konkrete për ndryshim.

“Ne së bashku kemi një program të veçantë për komunën tonë – zhvillim ekonomik, mbështetje për blegtorinë nga fonde të dedikuara, turizëm të veçantë, arsim cilësor me shkolla moderne, shëndetësi me shërbime cilësore, mirëqenie sociale dhe një administratë efikase. Dragashi ka potencial të madh dhe ne do ta shndërrojmë atë në mundësi për qytetarët tanë”, tha Shabani.

Në këtë tubim u prezantuan edhe kandidatët për anëtarë të Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së në Dragash, të cilët u zotuan se do të punojnë së bashku për të sjellë ndryshimet e nevojshme në këtë komunë.


Go to TOP