Paralajmërimet për grevë në arsim dhe takimi i Nagavcit me Këshillin e Prindërve – këto janë kërkesat e sindikalistëve

Kur kanë mbetur afër 10 ditë deri në fillimin e vitit të ri shkollor, por sektori i arsimit pritet të hyjë në grevë të përgjithshme nga data 24 ose 25 gusht kjo pasi siç thonë nga Sindikata e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) Qeveria e Kosovës nuk i kanë marrë parasysh kërkesat e tyre.  

E lidhur me grevën në arsim, të enjten në një konferencë për media, Rrahman Jasharaj nga SBASHK-u tha se Qeveria Kurti mbajti pozicionin e gabuar duke mos dialoguar me ta.

Ai po ashtu tha se në këtë grevë do të jenë të përfshirë dhe administrata e arsimit dhe sektorët tjerë në kuadër të saj.

“Qeveria Kurti mbajti pozicionin e gabuar, jemi të shtyrë të mbajmë grevë nga 24 ose 25 gushti. Në këtë grevë do të jenë të përfshirë dhe administrata dhe sektorët tjerë”, ka thënë Jasharaj, duke shtuar se Qeveria i ka dyert e hapura për arritjen e një marrëveshje.

“Dyert i kemi të hapura për arritjen e një marrëveshje. Të fillohet me 100 euro mbështetje, pasi ka ngritje të tmerrshme të çmimeve”, ka thënë ndër të tjera Jasharaj.

Ndërkaq, në ditën kur BSPK dhe SBASHK-u mbajtën konferencë për media, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci kishte pritur në takim përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve të Kosovës, të kryesuar nga kryetari Jeton Demi.

Siç njoftohet, në takim është diskutuar për çështje të rëndësishme në arsim, ndryshimet e nevojshme legjislative në këtë sektor dhe ato të cilat janë në proces të ndryshimit, përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor 2022/2023, si dhe të drejtën e nxënësve për të vijuar mësimet pa asnjë pengesë.

Ministrja Nagavci me këtë rast ka thënë se Ministria e Arsimit është e përkushtuar që të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë akterët, përfshirë edhe Këshillin e Prindërve të Kosovës, marrë parasysh rëndësinë që ka roli i prindërve në të gjitha proceset në arsim.

Sipas një komunikate të MAShTI, Nagavci dhe kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Jeton Demi u pajtuan që çdo kërkesë e arsyeshme dhe e argumentuar të shtyhet përpara, në mënyrë që ky këshill të jetë sa më efektiv në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive që ka.

Më poshtë mund t’i lexoni kërkesat e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK):

100 euro nga buxheti i shtetit për të gjithë të punësuarit në sektorin publik përfshirë edhe punëtorët e Ndërmarrjeve Publike – deri në përmbushjen e kërkesave të mëposhtme

Përcaktimi i Pagës Minimale

Miratimi i Ligjit për Paga

Nisja e zbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore

Nënshkrimi i marrëveshjes kolektive gjithëpërfshirëse

Amendamentimi-ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuar nga Shteti, pranimi i përvojës se punës për të gjithë të larguarit nga puna gjatë viteve të 90-ta, dhe të eliminohet kriteri prej 15 vite përvojë punë para vitit 1999.

Go to TOP