Osmani viziton Krushën e Vogël, bashkatdhetarët nga SHBA dhurojnë ndihma për gratë e komunitetit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar Krushën e Vogël në prag të festës së Bajramit, ku është takuar me gratë dhe nënat e këtij komuniteti për të ndarë me to dhimbjen, forcën dhe dashurinë.
Gjatë kësaj vizite, bashkë me të ishin edhe përfaqësues të komunitetit shqiptar nga Philadelphia, SHBA, të cilët sollën ndihma dhe dhurata të mbledhura me përkushtim nga vëllezërit Osmanollaj dhe Emina Cunmulaj. Këto donacione erdhën si rezultat i një aktiviteti bamirësie të organizuar më 8 Mars, për Ditën e Gruas, në mbështetje të grave të Krushës.
Osmani shprehu mirënjohjen për mërgatën shqiptare duke vlerësuar përkujdesjen dhe solidaritetin e tyre të vazhdueshëm. Ajo theksoi se vizita kishte për qëllim që, edhe pse pak më herët, të ndanin dashuri dhe kujdes me gratë e Krushës në këtë periudhë festive. /Kosova.info/
