Osmani: Termokos me objekt të ri pas 50 vitesh – investim për shërbime më cilësore në Prishtinë

Pas gati pesë dekadash në objektin e vjetër, kompania publike Termokos po hyn në një epokë të re me përfundimin e punimeve në objektin e ri administrativ. Kryeshefi ekzekutiv i Termokos-it, Fisnik Osmani, ka bërë të ditur se projekti është në fazën përfundimtare dhe do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët e Prishtinës.

“Pas afër 50 vitesh në objekt të vjetër, përfundimisht po i japim ngrohtores kushtet që i meriton! Ky projekt padyshim do të ndikojë në ofrimin cilësor të shërbimeve për qytetarët”, deklaroi Osmani.

Objekti i ri administrativ do të krijojë kushte më të mira pune për stafin dhe do të mundësojë një qasje më efikase në trajtimin e kërkesave të konsumatorëve.

“Menaxhmenti ynë është i përkushtuar të përmirësojë kushtet e punës duke ofruar ambient të ngrohtë për konsumatorët tanë,” theksoi Osmani.

Ky investim përkon me vizionin e Termokos për një Prishtinë të gjelbër dhe të qëndrueshme duke u pozicionuar si një ndër kompanitë publike më të përkushtuara në përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve për qytetarët. /Kosova.info/


Go to TOP